Posta Shqiptare feston 111-vjetorin, Balluku: Misioni i saj për të sjellë njerëzit më afër

schedule19:29 - 7 Dhjetor, 2023

schedule 19:29 - 7 Dhjetor, 2023

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte e pranishme në 111-vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare.  Ajo përmendi  rolin që ka luajtur ky institucion në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Tek misioni që posta ka pasur që në krye të herës për të sjellë njerëzit më afër, për ti dhënë atyre mundësinë e komunikimit, por edhe të shkëmbimit, sepse jo vetëm letrat, jo vetëm telegramet, por dhe pakot dhe dhuratat edhe ilaçet dhe nevojat që janë shkëmbyer përmes postës, sot ky mision kryhet përmes parametrave të rinj, pasi vetë koha na kërkon që ti plotësojmë këto kushte dhe ti përgjigjemi kërkesës. Kështu që unë do ti referohesha një periudhe e cila ishte sy hapëse për të gjithë botën, periudha e pandemisë”, tha ministrja.

Fjala e plotë: 

I dashur David, me siguri që ka mundësi që të jemi në 200 vjetorin, se me të gjithë inovacionin dhe teknologjinë dhe nano teknologjinë ndoshta edhe jeta do të shtyhet shumë gjatë. Posta Shqiptare në këtë vit kremton 111 vjetorin e krijimit të saj, si institucioni i dytë sa i përket kohës dhe vjetërsisë, pas Forcave të Armatosura.

Sigurisht i krijuar nën qeverinë e Ismail Qemalit, për nderin e madh të këtij institucioni dhe Ardit me të vërtetë uroj që ky të jetë një motivim për të gjithë ju që punoni në Postën Shqiptare dhe që keni përpara një sfidë shumë të madhe.

Do ndalesha vetëm një moment pikërisht tek çfarë zoti Wisner tha. Për ne, por ndoshta jo për fëmijët tanë, marrja e një letre ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm dhe po i tregoja se çfarë bënim ne dikur në Shqipëri. Merrnim një libër dhe fillonim dhe vendosnim pullat brenda atij libri dhe kur gjenim kohë me shokët e klasës fillonim dhe mburreshim se kush kishte pullën më interesante. E di kush ka qenë pulla më interesante David? Ka qenë një pullë që vinte nga jashtë se për ne ishte shumë e vështirë që të kishe pulla që vinin nga jashtë dhe kishte disa familje, shumë pak, që i lejohej ndonjë letër apo ndonjë pako postare që vinte nga jashtë kufijve të Shqipërisë.

Sot kur kufijtë nuk ekzistojnë më, sot kur një botë dixhitale është bërë pjesë e jetës tonë, sot kur fëmijët tanë nuk e kuptojnë më se çdo të thotë një letër e shkruar, filatelia mbetet një nga institucionet më të rëndësishme shqiptare pjesë e Postës Shqiptare. Unë njoh shumë filatelistë të cilët me një pasion të jashtëzakonshëm kanë gërmuar në historinë e Postës Shqiptare dhe kanë gjetur të gjithë ato pulla, që një pjesë e tyre edhe është rikuperuar nga vetë ju dhe sot është pjesë e kësaj ekspozite. Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë vizitorëve dhe turistëve të shumtë që qyteti i Tiranës mikëpret që të vijnë ta shohin këtë ekspozitë në një ambient të vogël, por që mban vlera të jashtëzakonshme. Vlera të jashtëzakonshme dhe të shikoni sesi filatelia shqiptare është zhvilluar nga viti i parë i krijimit, pra nga 1913 kur ka qenë emetimi i parë, pra në maj, vetëm 5 muaj nga krijimi i shtetit shqiptar, ka qenë një nga hapat e parë të shtet formimit dhe ta shikojnë sesi ka ecur së bashku me historinë tonë. Me të gjitha qeveritë e krijuara, pastaj me monarkinë, më pas kohët e pushtimit, shteti komunist dhe deri në ditët e sotme.

Do të thoja që ky është një moment për të kremtuar marrëdhënien me partnerin tonë të pazëvendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një kremtim i cili zgjat prej disa muajsh, por që me të vërtetë nuk do të mjaftonte një vit për të festuar këtë marrëdhënie kaq të rëndësishme. Një marrëdhënie që shqiptarët sa herë që pyeten, sa herë që bëhet një sondazh mbi preferencat e tyre, sigurisht SHBA-të kuotohen në pjesën më të lartë të këtij pyetësori dhe shpeshherë Kryeministri thotë që zgjedhja e shqiptarëve është Zoti, Amerika dhe pastaj vijnë të tjerët. Kështu që ju e ndjeni mbështetjen e popullit tonë, e ndjeni mbështetjen e Qeverisë Shqiptare në çdo vendim strategjik tuajin, ashtu siç kemi ndjerë ne gjithmonë kujdesin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar ndaj vendit tonë të vuajtur dhe vendit tonë, i cili ka kaluar faza dhe etapa shumë sfiduese në historinë e tij dhe që sot mundet me kokën lart dhe krenar të thotë që Shqipëria tashmë në skenën ndërkombëtare është një vend ku shqiptarët kudo që ndodhen ndihen krenar për vendin e tyre dhe kjo ka ardhur edhe për shkak të mbështetjes tuaj dhe të kontributit që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë ndër vite.

Do ndalesha pak tek misioni fisnik i postës. Tek misioni që posta ka pasur që në krye të herës për të sjellë njerëzit më afër, për ti dhënë atyre mundësinë e komunikimit, por edhe të shkëmbimit, sepse jo vetëm letrat, jo vetëm telegramet, por dhe pakot dhe dhuratat edhe ilaçet dhe nevojat që janë shkëmbyer përmes postës, sot ky mision kryhet përmes parametrave të rinj, pasi vetë koha na kërkon që ti plotësojmë këto kushte dhe ti përgjigjemi kërkesës. Kështu që unë do ti referohesha një periudhe e cila ishte sy hapëse për të gjithë botën, periudha e pandemisë. Periudha e pandemisë na tregoi se komunikimi elektronik dhe inovacioni, dixhitalizimi është çka tani bota ka nevojë dhe si bën një institucion i cili ka qenë gjithmonë i lidhur me komunikimin e materializuar, me letrën, me pakon, që të kalojë në një sistem të ri. Sigurisht për ju që punoni prej vitesh këtu duhet të ndjeheni edhe pak të rrezikuar sesi ky proces i ri po ndryshon gjithçka. Megjithatë, nëse ne do ti përgjigjemi kësaj kërkese të re të zhvillimit, nëse ne do të jemi të gatshëm për të kryer të gjitha transaksionet e e-commerce, pra tregtisë dixhitale, nëse ne do ti përgjigjemi me shpejtësi dërgimit të pakove postare, ashtu siç po bëjnë edhe entitete të tjera jo shtetërore, ne nuk do të kemi asnjë arsye për të pasur frikë nga konkurrenca. Kështu që për t’ia bërë të gjithëve me dije Posta Shqiptare ka prej kohësh që ka nisur një projekt të madh inovacioni, duke pasur parasysh që është institucioni që shkon në çdo cep të vendit tonë. Nuk ka një institucion tjetër shtetëror, i cili shkon nga Vermoshi në Konispol, duke qenë i prekshëm nga të gjithë dhe sidomos nga grupet vulnerabël, siç është rasti i pensionistëve apo edhe i familjeve në nevojë apo i njerëzve që jetojnë në zona të thella ku bllokohen dhe nga bora pavarësisht të gjithë punës që ne bëjmë për ti mbajtur tashmë edhe Thethin, edhe Qafë Thorën të hapur.

Kështu që unë do t’ju thoja që tani që ne jemi gati dhe kemi dizenjuar dhe kemi projektuar këtë zhvillim të ri inovator dhe teknologjik ka ardhur momenti që të fillojmë edhe ta promovojmë për publikun. Të gjithë tashmë e dinë sesa shumë shërbime merren nga zyraT postare, sesi të gjithë përmes marrëdhënies që ju keni edhe me ndërmarrjet e tjera shtetërore, me OSHEE-në, me AKUK-n, me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, sesi mund të kryhen këto pagesa në sportelet tuaja. Por, ne tashmë synojmë që këto pagesa të kryhen në mënyrë elektronike. Ne synojmë që përmes një karte universale dhe përmes një investimi të rëndësishëm që do bëhet në pikat e shpërndarjes, në ATM-të e quajtura ndryshe, gjatë vitit 2024, ne ti japim mundësinë çdo pensionisti që të shkojë dhe të tërheqë këto para pa pasur nevojë që të shkojë në bankë dhe të hapë një llogari duke paguar edhe komisione. Me postën nuk i duhet të paguajë asnjë komision.

Nga ana tjetër, çfarë është më e rëndësishme dhe që ne duhet ta përmendim këtu sot është që ne planifikojmë që në vazhdim, duke nisur nga viti 2024, të fillojmë të prodhojmë dhe të kemi një projekt të ri, i cili do të ngjajë prapë pak futurist, ashtu siç u komentuan satelitët që sot funksionojnë më së miri dhe na japin të dhëna të jashtëzakonshme për proceset e ndryshme administrative që ne kemi, dhe bëhet fjalë për transportin me dron. Transporti me dron i cili do të marrë nga qendrat e ndryshme kudo në Shqipëri, nga qendrat postare do të marrë pakot postare për ti transportuar ato diku në një vend tjetër. E gjitha kjo do të na japë efiçiencë në kohë, efiçiencë financiare dhe mbi të gjitha edhe ulje të emetimeve të karbonit që është edhe kjo një nga synimet e Republikës së Shqipërisë për shkak të të gjitha angazhimeve që ne kemi marrë për axhendën e gjelbër europiane, por edhe atë ndërkombëtare që sa më pak mjete transporti të përdoren dhe sa më shumë të përdoret inovacioni, siç është rasti i dronëve, ne do të arrijmë targetet tona.

Unë mund të flas shumë për postën pasi është një nga ndërmarrjet që bën pjesë në portofolin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, në portofolin e telekomunikacionit. Do gjeja rastin që të falënderoja të gjithë ata që kontribuojnë. Këtu kam një nga drejtoreshat që ka bashkëpunuar me mua që në kohët e vjetra, në detyrat e tjera që kemi pasur dhe do doja të falënderoja Irena Malollin për të gjithë punën e shkëlqyer që bën dhe të gjithë stafin e Postës Shqiptare. Dhe dua t’ju them që inovacioni, duket i vështirë momentalisht, por është i mirë dhe nuk vë askënd në risk dhe ndryshimi perceptohet nganjëherë si një hap shumë i vështirë, por çka përfitojnë qytetarët tanë është me të vërtetë një vlerë shumë e madhe, kështu që të gjithë së bashku duhet të bëhemi pjesë e këtij ndryshimi inovativ që kërkohet nga Posta Shqiptare, që e kërkon sot tregu shqiptar, por dhe ai ndërkombëtar.

Edhe një herë, zoti Wisner ishte kënaqësi e madhe që të ishim këtu sot të shikonim bashkë të gjithë historinë shqiptare përmes filatelisë dhe padyshim të kremtonim edhe një herë marrëdhënien 100 vjeçare midis dy vendeve tona.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe me të vërtetë duhet të vini të gjithë që ta vizitoni këtë kënd të vogël, por shumë të vlefshëm për historinë e filatelisë shqiptare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!