Një vit pasi xhubleta u fut në UNESCO, kësaj radhe një tjetër traditë shqiptare bëhet pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Jo materiale. Bëhet fjalë për Transumancën, traditën e shtegtimit të bagëtive, që tashmë do të jetë pjesë e UNESCO. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Margariti njofton se vendi ynë kishte aplikuar me një dosje të përbashkët me Spanjën, Andorën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun dhe Rumaninë. Transumanca është një traditë e lashtë e shtegtimit të bagëtive, që ka kapërcyer shekujt, e pasur me këngë pastorale, instrumente, veshje dhe rite.
“Plot një vit pasi xhubleta iu shtua pasurive nën mbrojtjen e UNESCO-s, sot Komiteti Ndërqeveritar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jo materiale i mbledhur në Botsvana, në sesionin e tij të 18-të, votoi përfshirjen e Transumancës në listën e UNESCO-s. U pranuam me një tjetër traditë që ka jetuar me historinë e njerëzimit në shekuj bashkë me Spanjën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun, Andorrën dhe Rumaninë dhe iu bashkuam kështu Austrisë, Greqisë e Italisë me dosjen e miratuar më herët në 2019 për këtë dukuri. Transumanca nuk është thjesht tradita e shtegtimit të bagëtive, por një ritual i lashtë që ka kapërcyer shekujt dhe shtetet. Është një mënyrë jetese e pasur me këngë pastorale, instrumente, veshje dhe kulinari. Jo thjesht një paradë ritesh e festash, por mbi të gjitha një ftesë për të mbështetur turizmin kulturor në Shqipëri, për të mbështetur ekonominë e zonave rurale, si dhe për të lartësuar shpirtin e bartësve të kësaj tradite. Krenare dhe falenderuese për këdo që besoi si ne në këto vlera dhe dha kontributin në hartimin e një dosjeje ‘fituese’, në veçanti një falenderim të madh ekspertët. Pas xhubletës, le të jetë ky lajm i sotshëm një tjetër ogur i mirë edhe për dosjet e tjera tashmë pranë UNESCO-s.”, theksoi Margariti.
/abcnews.al