Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky anuloi papritur sot fjalimin e planifikuar në Kongresin amerikan për shkak të një rasti që i doli në “minutën e fundit”, tha udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer.
“Zelensky nuk mund të paraqitet në takimin tonë të orës 15:00, diçka ndodhi në minutën e fundit”, tha ai para gazetarëve.
Presidenti ukrainas duhej të fliste praktikisht para Kongresit me shpresën se do të ndikonte tek ligjvënësit për të miratuar një paketë të re ndihme për vendin e tij. Uashingtoni ofron ndihmën më të madhe ushtarake për Kievin dhe ka dhënë dhjetëra miliarda dollarë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
Kongresi amerikan, i cili deri më tani ka miratuar paketa të mëdha ndihme ushtarake, humanitare dhe makroekonomike për Kievin, përbëhet nga dy dhoma. Republikanët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një numër prej tyre kërkojnë që menjëherë të ndërpritet ndihma për Kievin.
Në Senat, ku demokratët janë në shumicë, republikanët e opozitës janë në favor të mbështetjes së Ukrainës. Për të miratuar ndihmën, republikanët po kërkojnë politika më të ashpra ndaj emigrantëve në kufirin me Meksikën, gjë që demokratët deri më tani kanë refuzuar ta bëjnë.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha sot se asnjë ndihmë e re për Ukrainën nuk do të miratohet pa një “ndryshim rrënjësor” në politikën e migrantëve.
/abcnews.al