Politikani i njohur, Fidel Ylli, është i ftuar në studiot e ABC News, në emisionin “Pressing”. Pas ndeshjes kundër Moldavisë, Ylli analizoi paraqitjen që bëri Shqipëria, punën që po bën Reja dhe kampionatin tonë vendas. Në fjalën e tij, Ylli tha:
KOMBËTARJA – “Nuk më shqetësojnë skemat e kombëtares, pasi janë zgjedhjet e trajnerit. Mua më shqetëson futbolli në përgjithësi, pasi po të shikojmë moshat e ekipeve tona kombëtare, luajnë të gjithë jashtë dhe futbolli ynë duhet të ngrihet. Do të mbushen stadiumet? Do të ketë lojtarë si Trashi te kombëtarja? Një pjesë dërrmuese e lojtarëve në kombëtare duhet të jenë nga kampionati ynë kombëtar. Është e lehtë të marrim lojtarë nga jashtë, por ne duhet të shikojmë të rritim nivelin e futbollit tonë. Kjo kombëtare më argëtoi këto dy ndeshje, por më shqetësoi në 3 ndeshjet paraardhëse. Në Lion, ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, pasi 35 mijë tifozë kishin veshur fanellën e kombëtares. Kënaqësi e madhe”.
FUTBOLLI VENDAS – “Unë e thashë që në fillim se nuk më shqetëson skema, por zhvillimi i futbollit. Duhet të kemi një brez të ri ku do të bazohet ekipi kombëtar. Unë nuk jam për një futboll patriotik, që merr para dhe bëj ekip të madh. Futbolli është baza e gjitha sporteve në Shqipëri dhe duhet ta shohim si një aset të çmuar. Duhet t’i afrojmë të rinjtë dhe ta dimë si do të jetë ecuria e ekipit shqiptar. Të gjithë lojtarët e Shqipërisë janë jashtë shtetit, vetëm për t’i hipur avionit dhe për t’i ndjekur është investim i madh.
LIGJI I SPORTIT – “Dua të them që sportistët në përgjithësi, ngaqë stërviten 2-3 herë në ditë, kanë shumë pak kohë për të lexuar. Kemi që dy vite që kemi kaluar një ligj sporti, nuk është i përkryer, por është pëlqyer nga shumë, përfshirë dhe Federatën e Futbollit. Bëhen mbledhje për përmirësimin e këtij ligji dhe FSHF ka pasur edhe presidentin, edhe sekretarin e Federatës, kanë dhënë aprovimin për këtë ligj dhe si rrallë ndonjëherë, kanë dhënë shpërblime për sportistët individualë. Ne kemi futur dhe shpërblime për futbollistë elitarë, për herë të parë. Kush quhet një futbollist elitar? Ai që futet në Universitetin e Sportit pa prova, ka disa përfitime nga çdo medalje që fiton dhe disa prioritete tjera. Ky ligj i yni nuk është i gjatë, ka vetëm 64 nene. Prandaj iu kërkoj që ta lexoni këtë ligj.
INVESTIMET – “Nuk dua që nesër të më thoni se isha në parlament dhe nuk e kam ngritur zërin. Duhet ta ngremë zërin jo për 3-5-2 apo ku di unë, por për rritjen dhe zhvillimin e sportit. Po ia kërkoj këtë të gjithëve. Unë jam një zë i fuqishëm në parlament që flas për sportin. Në gjashtë vite qeverisje, është bërë stadiumi në Elbasan, në Shkodër, po bëhet i Kukësit. Janë hedhur 31 milionë euro”.
/abcnews.al