Ndërmjetësoi marrëveshjen Izrael-Hamas, Katari: Armëpushimi do të shpallet brenda 24 orëve

schedule07:40 - 22 Nëntor, 2023

schedule 07:40 - 22 Nëntor, 2023

Katari, i cili luajti një rol vendimtar në negociatat midis Izraelit dhe Hamasit, konfirmoi se ishte arritur një “marrëveshje për një pauzë humanitare” në armiqësitë në Rripin e Gazës. Ashtu sikurse njoftoi Izraeli dhe Hamasi, edhe ministria e Jashtme e Katarit thekson se armëpushimi do të jetë 4 ditë me mundësi zgjatjeje.

Katari vuri në dukje gjithashtu se koha e fillimit të pauzës humanitare do të shpallet brenda 24 orëve dhe se marrëveshja përfshin lirimin e 50 grave dhe fëmijëve peng të mbajtur në Gaza në këmbim të lirimit të grave dhe fëmijëve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Armëpushimi do të lejojë hyrjen në Rripin e Gazës të “një numri më të madh të autokolonave dhe ndihmave humanitare, duke përfshirë karburantin për qëllime humanitare”. Kreu i ekipit negociator të Katarit tha se marrëveshja duhet të inkurajojë komunitetin ndërkombëtar që “të shfrytëzojë këtë dritare të shkurtër mundësie për të krijuar një moment më të madh për rrugën e diplomacisë”.

Një veprim i tillë është mënyra e vetme për të zgjidhur konfliktin, si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë, tha Mohammad Al Kulaifi, ministri i Jashtëm i Katarit.

“Prioriteti i Katarit tani është të sigurojë respektimin e kushteve të marrëveshjes dhe të dyfishojë përpjekjet për të siguruar një armëpushim afatgjatë, për t’i dhënë fund luftës dhe për të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme përmes një procesi politik gjithëpërfshirës,” thuhet në deklaratë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!