Plagosi ish-bashkiakun e Divjakes/ Prokuroria e Fierit mbyll hetimet çon për gjykim Orges Xhelilin

schedule13:22 - 15 Nëntor, 2023

schedule 13:22 - 15 Nëntor, 2023

Një vit pas plagosjes me thikë të ish-Kryetarit të Bashkisë Divjakë Fredi Kokoneshit Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e të akuzuarit Orges Xhelili.

Ndaj 47 vjeçarit prokuroria ka ngritur akuzat “Vrasja e funksionarëve publikë” e mbetur në tentative, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Autori i ngjarjes së rëndë, Orges Xhelili, ka qenë ish-punonjës i IT-së në Bashkinë e Divjakës dhe pikërisht kjo dyshohet të jetë arsye e konfliktit pasi kryebashkiaku e ka hequr atë nga puna.

Një tjetër motiv mendohet të ketë qënë transferimi i bashkëshortes se Xhelilit nga drejtuese e poliklinikës së Divjakës për në qendrën shëndetësore të fshatit Tërbuf.

Ngjarja ndodhi më 11 nëntor të vitit 2022 teksa kryebashkiaku Kokoneshi po shkonte në zyrën e tij në Bashkinë e Divjakës. Atje është pritur nga Orges Xhelili me të cilin ka debatuar. Pas konfliktit verbal 47 vjeçari e ka qëlluar Kokoneshin disa herë me thikë në pjesën e shpinës.

Ndërsa ka hyrë për t’i ndarë, me thikë është sulmuar edhe shoferi i kreut të Bashkisë së Divjakës, Gazmend Bullari, i cili mori disa plagë në pjesën e barkut.