Është shtyrë seanca paraprake pre kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla. Gazetari Ermal Vija tha për ABC se shkak i shtyrjes së seancës është bërë mungesa e prokurorit të çështjes, Edvin Kondili. Memolla është marrë i pandehur për akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykim edhe tre të pandehur të tjerë.
Sipas prokurorisë, Memolla ka ndikuar tek i pandehuri Blerim Xhamani, me detyrë elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale të 6 Marsit 2022.
Po sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Memolla komunikon me Blerim Xhamanin, edhe për punësime në Bashkinë në këmbim të votës.
Ndërsa i pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022.
Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.
/abcnews.al/