Ministri i Jashtëm izraelit ka vlerësuar sot se po rritet presioni ndërkombëtar, mbi vendin e tij lidhur me operacionet ushtarake në Rripin e Gazës dhe se duhet të bëhen përpjekje për të zgjeruar “legjitimitetin” e tyre.
Më shumë se pesë javë pas fillimit të luftës që shkaktoi një sulm të paprecedentë nga Hamas në tokën izraelite më 7 tetor, organizatat ndërkombëtare të ndihmës po bëjnë thirrje me këmbëngulje për një armëpushim në Rripin e Gazës, që është nën bombardimet izraelite dhe ku ka mungesë të ujit të pijshëm dhe ilaçeve.
Rreth 2.4 milionë banorë, përfshirë 1.6 milionë të zhvendosur nga lufta, u gjendën në një situatë katastrofike, paralajmëroi OKB. Luftimet janë veçanërisht të ashpra në veri të Rripit të Gazës dhe në qytetin e Gazës, ku disa spitale, ku janë strehuar shumë refugjatë, janë të rrethuar nga luftimet midis ushtarëve izraelitë dhe luftëtarëve të Hamasit.