Brescia po zhvillonte një miqësore kundër ekipit serb të Vojvodinës gjatë ditë së djeshme, ndeshje që nuk dhuroi një rezultat përfundimtar. Një flamur shqiptar u bë shkak për acarimin e tifozëve serbë, të cilët veprojnë gjithmonë njësoj dhe nuk ndryshojnë kurrë.
Probleme pati edhe gjatë pjesës së parë. Nenad Lalatovic u ndëshkua me karton të kuq dhe kërcënoi arbitrin kryesor me tërheqje të ekipit nga fusha, por atij nuk i pëlqen ta diskutojë diçka të tillë. Ndeshja rifilloi pas 15 minutash, për t’u ndalur përfundimisht në pjesën e dytë.
Ishte minuta e 55-të dhe disa tifozë të Vojvodinës kaluan gardhin dhe pushtuan fushën. Një flamur i Shqipërisë i ekspozuar në tribunën përballë i tërboi totalisht dhe ata u nisën për ta hequr prej anej. Ndërhyrja e policisë evitoi përplasjen mes palëve, ndërsa Lalatovic sjell versionin e tij në një prononcim për Kurir.
“Mendoj se arbitri duhet ta ndërpriste ndeshjen, pasi ekzistonte rreziku që të kishte të plagosur. Disa shqiptarë kaluan gardhin në minutën e 55-të dhe shpalosën flamurin e tyre kombëtar, një provokim i pastër kundrejt tifozëve tanë.
Mendoj se ata kishin qëllim të na provokonin dhe donin që tifozët tanë të niseshin drejt tyre. Rreth 20 shqiptare po prisnin përballë sulmin e tanëve. Nuk e di çfarë mund të kishte ndodhur në një rast të tillë. Nuk ekziston asnjë justifikim për veprimin e bërë, por nuk i fajësoj tifozët tanë. Kur e do shumë Serbinë dhe Kosovën, ashtu siç e duam ne, të dhemb shumë“, përfundon trajneri i ekipit serb. /abcnews.al