Kursi “UEFA PRO” që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur që prej muajit shtator të këtij viti dhe po zhvillohet te shkolla e Trajnerëve në Kamëz. Kursi Uefa PRO është niveli më i lartë për një trajner futbolli dhe FSHF ka krijuar kushtet e duhura që ky kurs i rëndësishëm të zhvillohet edhe në vendin tonë. Prej vitesh tashmë, në këtë kurs marrin pjesë emra të rëndësishëm në botën e futbollit, si ish-futbollistë të Kombëtares apo lojtarë që kanë luajtur në kampionatin shqiptar, të cilët zgjedhin të vijojnë karrierën si trajner.
Ditën e hënë, më datë 13 nëntor në orën, 09:30, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një leksion për kursin Uefa PRO në sallën e konferencave në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku do të marrin pjesë jo vetëm pjesëmarrësit e këtij edicioni, të cilët po zhvillojnë kursin e nivelit më të lartë për një trajner futbolli, por edhe trajnerë tashmë të diplomuar dhe të licensuar me këtë diplomë.
Në konferencën e organizuar nga FSHF, do të ketë edhe një të ftuar shumë special. Bëhet fjalë për trajnerin e mirënjohur me origjinë Italiane, Marco Giampaolo, i cili nëpërmjet një video-call do të ndajë me pjesëmarrësit e kursit eksperincën e tij si trajner futbolli dhe gjithashtu do të mbajë një leksion informues për botën e trajningut.
Marco Giampaolo është një emër mjaft i rëndësishëm në futbollit italian, pasi ka drejtuar shumë klube të njohura. Ai ka një karrierë të lavdishme prej më shumë se 20 vitesh në botën e trajningut, teksa për herë të parë është emëruar si asistent trajner në skuadrën e Pescarës. Cagliari është ekipi i parë që ai ka drejtuar si “timonier” kryesor dhe prej që atij momenti karriera e tij ka ardhur në rritje, duke trajnuar klubet e Siena, Catania, Cesena, Brescia, Cremonese, Empoli, Sampdoria, Milan dhe Torino. /FSHF