Dëmtimi i Alex Meret e detyroi Napolin të kërkonte një portier verën e vitit 2018. Guillermo Ochoa ishte dëshira e madhe e Carlo Ancelottit, por akordi nuk u arrit. Napoli ndryshoi objektiv, arriti marrëveshjen e huazimit me Arsenal dhe David Ospina u transferua në Serie A.
Meksikani Ochoa ishte pjesë e Standart Liezh në atë periudhë dhe dëshironte kalimin te Napoli. Dikush u bë pengesë dhe 34-vjeçarit i ka mbetur peng. Në një prononcim për Total Soccer, Ochoa zbulon prapaskenat e atij transferimi të munguar.
“Më intrigonte ideja e firmosjes me Napolin. Presidenti i Standartit thirri agjentin tim në Belgjikë, negociuan nga afër, por në fund nuk më dha leje për t’u larguar. Ancelotti kishte parë disa ndeshje të Meksikës pas dëmtimit të Meret dhe kishte vendosur të më merrte. Unë isha zgjedhja e tij, jo Ospina, por nuk varej aspak nga unë. Nuk e humba qetësinë atëherë, por sot mendoj se ishte realisht një mëkat”, përfundon portieri meksikan. /abcnews.al