Politikat shkatërruese të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj po çojnë drejt konflikteve dhe rrisin rrezikun e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, përfshirë ato bërthamore.
Kështu ka deklaruar, Nikolai Patrushev, aleat i ngushtë i Putinit, i cili theksoi se rendi post Luftës së Ftohtë dhe dominanca e Shteteve të Bashkuara po venitej.
“Pasoja e natyrshme të politikave shkatërruese të Shteteve të Bashkura është përkeqësimi i sigurisë globale. Rreziku që të përdoren armët bërthamore, kimike dhe biologjike do rritet.
Regjimi ndërkombëtar i kontrollit të armatimeve është minuar.”
Patrushev, nuk dha detaje specifike se ku mund të përdoren armët e shkatërrimit në masë, por akuzoi Uashingtonin se kishte dështuar të vendoste paqen në Lindjen e Mesme dhe se po përshkallëzon luftën në Ukrainë duke mbështetur Kievin.
72-vjeçari Patrushev, është një ish-agjent i KGB-së, i cili ka punuar me Putinin në shërbimet sekrete që prej viteve 70-të. Deklaratat e tij vijnë pas kritikave të Shteteve të Bashkuara mbi vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga Traktati i forcave të armatosura konvencionale në Europë, një marrëveshje e sigurisë, e pas Luftës së Ftohtë.
Uashingtoni tha se vendimi tregonte që Moska shpërfillte kontrollin e armëve. Sakaq, ministri i Mbrojtes në Rusi, Sergei Shoigu, për herë të dytë në 10 ditë u takua me zyrtarin e lartë ushtarak në Kinë, Zhang Youxia me të cilin siç tha, diskutoi për thellim të bashkëpunimit.
Shoigu tha se ndryshe nga vendet agresive perëndimore nuk po krijojnë një bllok ushtarak, por SHBA-ja paralajmëron se Pekini mund të furnizojë Rusinë me armë.
/abcnews.al