Edoardo Reja pas ndeshjes me Turqinë, analizoi paraqitjen e lojtarëve të tij dhe theksoi se skuadra bëri ndeshje të mirë. “Nuk jam i zhgënjyer për lojën që bëmë. Bëmë një ndeshje thuajse perfekte, po të mos ishte për momentin e fundit. Krijuam raste dhe duhet ta mbyllnim ndeshjen.
Fatkeqësi që pësuam në fund. Djemtë janë të mërzitur, sikurse edhe tifozët. Humbëm një rast të mirë. Tani bëhet shumë më e vështirë, gati e pamundur”, tha Reja fillimisht në lidhjen direkte në Supersport.
“Nuk kam asgjë që mund të them për paraqitjen e djemve. Pati grintë, ndoshta kishte ca pasime të gabuara. Kjo është normale, pasi Turqia bëri shumë presing. Duhet të jemi më të vëmendshëm para portës dhe të godasim me vendosmëri. Aty patëm disa mangësi, pasi humbëm tre raste”.
“Në fund të ndeshjes isha i mërzitur, por jo me lojtarët. E kisha me fatin e keq. Asnjëri nuk më zhgënjeu, ishin në pritshmëri. Prisja këtë lloj ndeshjeje. Kjo tregon rritjen e ekipit këto kohë. Nëse luajmë kështu, kemi shumë shanse të vëmë në vështirësi çdo ekip”. /abcnews.al