Komisioni i Venecias miratoi sot opinionin përfundimtar mbi shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë. Ekspertët thanë në fund se Meta i tejkaloi kompetencat kur anuloi 30 Qershorin, por nënvizojnë se kjo nuk është një shkelje aq e rëndë sa për ta shkarkuar nga detyra.
Komisioni i Venecias nuk mendon që Ilir Meta duhet larguar nga zyra e Presidentit. Komisioni miratoi këtë të premte opinionin përfundimtar, ku pranon se duke anuluar 30 Qershorin, Presidenti tejkaloi kushtetutën, por kjo nuk është mjaft për ta shkarkuar.
“Ekspertët kushtetues të Këshillit të Evropës të Komisionit të Venecias arrijnë në përfundimin se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej fuqive të tij kushtetuese, ka të dhëna se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që justifikojnë shkarkimin”.
Komisioni thotë se asnjë president nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik, duke dhënë një udhëzim të qartë edhe për të ardhmen.
“Komisioni i Venecias vëren se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhet të miratojë legjislacion të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet”.
Në paragrafin e fundit të njoftimit për shtyp për këtë çështje, ekspertët e Venecias i japin një rekomandim të qartë Kuvendit:
“Edhe nëse Parlamenti do të vërente se Presidenti tejkaloi kufijtë e tij, Komisioni i Venecias vë në dyshim nëse ky ishte e një karakteri kaq të nevojshëm për të vërtetuar një “shkelje serioze”. Ekspertët thonë se edhe nëse Kuvendi do të përcaktonte seriozitetin e shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në fajësim”.
Raporti përfundimtar do të publikohet të hënën./ABC News Albania 24/7