Tashmë gjithçka është zyrtare, Emanuel Egbo është trajneri më i ri “bardhebluve” të Prishtinës, me lajmin që e ka bërë me dije vetë klubi bardheblu i Kosovës me anë të një postimi në rrjetet sociale, me 50-vjeçarin që vjen për të zëvendësuar Debatik Currin.
Trajneri që shpalli kampion Tiranën në sezonin 2019/20 vjen në futbollin kosovar, teksa do të do të ketë si ndihmës Eldiano Topin.
“E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës.
Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin.
Nga afër nuk e njoh ekipin, por kam ndjekur skuadrën edhe në të kaluarën, por edhe tash së fundi, nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga video-ndeshjet. Por, objektivat janë të qarta, arritja më e pakët është Evropa, pse jo edhe më lartë, por kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar me të gjithë punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”, ishin fjalët e para të Egbo si trajneri i Prishtinës.
Gjithashtu foli dhe drejtori sportiv, Driton Krasniqi, i cili falënderoi Debatik Currin dhe i uroi mirëseardhjen teknikut të ri.
“E falënderojmë trajnerin Curri për punën që ka bërë në ekip. Normalisht, Prishtina gjithmonë kërkon rezultate dhe rezultatet ishin arsyet që u deshtë të ndanim punët me Currin. Normalisht nuk mund të themi që ishte vetëm faji i Currit, por vendimi gjithmonë vendimi bije te trajneri, ky është ligj në futboll.
Gjithashtu i uroj mirëseardhje trajnerit të ri, Egbo, me të cilën mendoj se do të bëjë më të mirën që ekipi të arrijë më të mirën për objektivat që kemi. Ekipi është i panjohur për të, por i duhet pak kohë e shkurtër deri sa të arrijë të njoh stafin, lojtarët dhe besoj se do të arrijë të përmbush objektivat e klubit”,- u shpreh Krasniqi. /i.m /abcnews.al