Tirana i ka sytë nga Komisioni i Disiplinës. Bardheblutë presin vendimin në lidhje me ndeshjen kundër Flamurtarit. Klubi kryeqytetas ka reklamuar aktivizimin e futbollistit Ariel Muçollari, duke pretenduar se klubi vlonjat ka shkelur rregulloren.
Një orë para ndeshjes, kur edhe plotësohen protokollet, mesfushori i ri nuk ishte përfshirë nga vlonjatët në listën e lojtarëve që mund të aktivizoheshin. Trajneri Dritan Sadedini kishte përzgjedhur titullarët dhe tetë rezerva.
Para fillimit të ndeshjes, vlonjatët kanë shtuar edhe Muçollarin në listë dhe për këtë kanë njoftuar delegatin e ndeshjes, Besnik Çela. Pretendimi i Tiranës është se ata nuk janë njoftuar për këtë ndryshim, ashtu sikurse mediat. Diçka të tillë ata e konsiderojnë shkelje dhe tashmë presin se çfarë do të vendosë Disiplina. Vendimi pritet të dalë sot. /abcnews.al

