Pas katër vjetësh nën pushtimin dhe terrorin e militantëve ekstremistë të Shtetit Islamik, në Mosul të Irakut është mbajtur për herë të parë mesha e Krishtlindjeve.
Nën kontrollin e ISIS cdo veprim ose ritual i krishterë ishte i rrezikshëm. Shumë të krishterë janë përndjekur nga Shteti Islamik, disa të detyruar të konvertoheshin në myslimanë, të paguanin taksa apo dhe u dënuan me vdekje.
Mesha e mbajtur në Kishën e Shën Palit, bashkoi të krishterë dhe myslimanë të Mosulit, për të festuar Krishtlindjet e para që pas clirimit të qytetit. Ceremonia u zhvillua nën masa të rrepta të sigurie, këndimi i himnit irakien para nisjes së ceremonisë fetare, shënoi dhe fundin e sundimit ekstremist që kishin marrë nën kontroll qytetin që në viti 2014.
Luis Rafael Sako, Patriarku i Kishës Katolike të Irakut, i bëri thirrje besimtarëve që të luteshin për paqe dhe stabilitet në Mosul, Irak dhe në mbarë botën.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Kisha e Shën Palit është e vetmja e rihapur deri tani në Mosul me ndihmën e vullnetarëve, që prej largimit të grupit xhihadist.
Përpara pushtimit nga Shteti Islamik në 2014, sipas liderve të krishterë të Mosulit, komuniteti i kirshterë përbëhej nga 35 mijë besimtarë. Forcat Irakene mposhtën ISIS-in në Mosul në muajin korrik./abcnews.al