Ministri i Brendshëm Taulant Balla i shoqëruar nga Drejtori i DVP, Durrës Skënder Hita zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë në Kavajë, ku theksoi nevojën për thellimin e procesit të vetë-pastrimit të radhëve të policisë dhe rritjen e besimit të publikut.
Ministri nënvizoi gjithashtu angazhimin për të përmirësuar kushtet financiare, qoftë sa i përket pagës së përgjithshme nëpërmjet ndryshimeve në buxhetin e ardhshëm, ashtu edhe për pagesat e orëve shtesë që u miratuan në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Balla vuri në dukje se është bërë një punë e lavdërueshme nga strukturat e Komisariatit të Kavajës përgjatë sezonit turistik. Ai falënderoi punonjësit për përmbylljen me sukses të sezonit.
“Ky Komisariat mbulon një vijë të rëndësishme bregdetare dhe me një numër shumë të madh hotelesh dhe një numër shumë të madh turistësh që vizitojnë gjithë bregdetin së bashku me pjesën që mbulon në tërësi Drejtoria e Durrësit. Duhet të jemi të përgatitur për vitin e ardhshëm, i cili do të jetë një vit me një numër edhe më të madh se ky që kishim. Prandaj ne kemi menduar të krijojmë edhe një Forcë Kombëtare të Sigurisë, e cila të mbështesë komisariatet”, theksoi ministri.
Më tej ai sqaroi sa i përket trajtimit financiar të punonjësve të policisë, me pagesat e orëve shtesë dhe rritjen në buxhet.
“Detyra e Ministrit të Brendshëm lidhet drejtpërdrejt me trajtimin e duhur financiar të punonjësve të policisë. Kemi kaluar në qeveri një akt normativ ku i japim zgjidhje të gjitha pagesave apo detyrimeve të prapambetura me orët jashtë orarit, i cili hyn në fuqi menjëherë. Në ditët në vijim, për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa dhe do ta ndjek personalisht”, deklaroi Balla.
“Unë e di që paga aktuale e punonjësve të policisë është shumë e ulët krahasuar me nevojat që ka çdo familje e një punonjësi policie. Me buxhetin e shtetit 2024, do të kemi një rritje, e cila ndoshta nuk është aq sa duhet, por është një hap i madh krahasuar me stadin aktual”, nënvizoi ai.
Në lidhje me problematikat e tjera të ngritura, ministri tha se po punohet për ti zgjidhur shpejt.
“Është shumë e rëndësishme që në procesin e rikthimit të besimit të publikut te Policia e Shtetit, kjo duhet të shoqërohet edhe me një qasje të re që njerëzit duhet të kenë ndaj uniformës të punonjësit të policisë”, u shpreh Balla në Kavajë.
Ministri u ndal gjithashtu në procesin e pastrimit të radhëve të policisë nga individë që tradhtojnë uniformën.
“Ndërsa vazhdojmë procesin e vetëpastrimit të radhëve të policisë nga individë që me veprimet e tyre tradhtojnë aksionet e policisë, unë jam shumë i sigurt që ne do ta rrisim besimin e qytetarëve te organizata e “Policisë së Shtetit”, tha ai.
Më tej u ndal në Paketën e Sigurisë në Shkolla, sidomos në identifikimin dhe kapjen e shpërndarësve të drogës në ambjentet shkollore.
“Duhet të jemi vigjilentë ndaj kujtdo që tenton të bëjë biznes me shëndetin e fëmijëve, duke u shitur lëndë narkotike. Një pjesë e madhe këtu, i kanë fëmijët në shkollë të mesme dhe e dinë sa e rëndësishme është kjo gjë dhe çfarë pritshmërie kanë qytetarët. Nga një sondazh i para disa ditëve, 6 në 10 persona mendojnë që siguria në shkolla është ndër gjërat më të rëndësishme dhe kjo lidhet edhe më shpërndarjen e lëndëve narkotike”, nënvizoi Ministri.
Në lidhje me luftën kundër krimit, Ministri theksoi se ka një angazhim të mirë të forcave të policisë të të gjithave të departamenteve.
“Dua të nxis më së shumti Departamentin e Policisë Kriminale për t’u fokusuar tek ato që ne quajmë ngjarjet e vjetra, të pazbuluara, por për t’u fokusuar dhe tek një pjesë tjetër që mendoj që është e rëndësishme, tek evidentimi dhe arrestimi i personave, të cilët rezultojnë që të kenë dënime, por nuk janë sot para drejtësisë ose në institucionet e vuajtjes të dënimit.
Në drejtorinë e Durrësit dhe në Komisariatin e Kavajës, kemi një listë personash e cilat ju është bërë me dije nga Drejtori i Përgjithshëm dhe duhet që të insistojmë për të zbatuar vendimet e gjykatave dhe vendosja e tyre para drejtësisë”, theksoi Balla.
Ministri po kështu vijon takimet me të gjitha strukturat e Policisë në të gjithë vendin në përmbushje të premtimit për të kontaktuar drejtpërdrejt çdo njësi policore nga qendra në bazë.