Festivali i muzikantëve të rrugës është një nga ngjarjet artistike më të rëndësishme në Novi Sad, ku mblidhen muzikantë nga i gjithë rajoni. Ata janë të bindur se kultura gjithmonë arrin t’i cojë mesazhe të qarta politikës.
Kalaja e Petrovaradinit. Ky është simboli i Novi Sadit, kryeqendrës së Vojvodinës. Këtu ka mbijetuar historia, por edhe e tashmja. Natali Beljanski, është nga ky qytet. Në këtë kala si shumë të tjerë jetën e përditshme e zhvillojnë artistët në shumë hapësira të vogla shfrytëzohen nga artistët.
Festivali i muzikantëve të rrugës, është një nga eventet e mëdha të kryeqendrës vojvodinase.
Natali me familjen e kanë traditë artin historikisht. Në rrugët historikë ku dikur bëhej jeta dhe betejat për mbrojtje, tani ata luftojnë për ta ruajtur përmbajtjen. Vojvodina është një zonë me shumë etni, ndoshta një nga zonat me kulturat më të ndryshme në Ballkan.
Natali dhe kolegët këtu kanë një hapësirë artistike dhe përvec eventeve të zakonshme organizojnë festivalin e muzikantëve të rrugës. Ajo thotë se Novi Sadi është qytet më shumë aktivitete, por si për ironi beson se kur ka shumë kulturë mund të ketë humbje.
Natali Beljanski, Festivali Muzikantët e Rrugës, Novi Sad: “Ne organizojmë një nga festivalet e mëdha të Novi Sadit. Lufta jonë ka të bëjë me ruajtjen e një identiteti autentik dhe kjo na ka shpëtuar; dhe ne kemi bërë ndryshime të mëdha. Në këtë drejtim duhet të mendojmë. Unë nuk mendoj se kultura mund t’i japë përgjigje politikës, por padyshim një subkulturë që gjithmonë ka porosi për politikanët në të gjitha shoqëritë dhe kjo është gjithmonë porosi lirie”.
Festivale të mëdha si ai i muzikantëve të rrugës ka shumë. Qyteti që në vete ngërthen shumë arkitekturë austro-hungareze do të jetë kryeqyteti i kulturës evropiane në vitin 2021.
Dy dekada më parë, në kohën e luftës këtu lindi festivali i muzikës elektronike Exit.
ideja ishte për të kërkuar një dalje në botë pasi në atë kohë Serbia ishte e mbyllur dhe bombardohej. Dy dekada më vonë ky festival është krijuar si një nga festivalet më të mira në Evropë.
Julija Mitroviç, është zëdhënëse e këtij festivali. Ajo thotë se ende kërkohet dalja, por tani bota vjen në Novi Sad.
Julija Mitrovic, Festivali “Exit”: “Ndihet një frymë që dëshpërueshëm kërkon një dalje në botën e kulturës dhe në një pasuri kulturore, por edhe një vend të sigurt ku mund të takohen me të rinjtë nga rajoni dhe të kalojnë kohë të mire, por dhe të fillojnë ndryshime pozitive. Exit ka qenë akt aktivistësh dhe kështu vazhdon “.
Në Exit, thonë se duhet përkrahur të rinjët në këtë rajon për të gjetur më shumë jetë këtu se sa në vendet e tjera dhe kjo është formula. EXIT është dëshmi se Ballkani ka kapacitet.
Julija Mitrovic, Festivali “Exit”: “Ndoshta për shkak se nuk jemi politikanë dhe qasja tek të rinjtë është ndryshe, më e hapur. Në Exit janë të rinjtë që e kuptojnë këtë koncept bashkëkohor dhe kontekstin e tij e kjo zgjat prej 20 vitesh”.
Novi Sadi dhe Vojvodina është e njohur edhe për numrin e hungarezëve, por këtu jetojnë edhe shqiptarë. Ka patur kërkesa për më shumë autonomi historikisht. Ekonomia vështirëson punët edhe këtu, pavarësisht se konsiderohet zona më e pasur në Serbi.
I ati i Natalijas, Bora Biljanski, tani jeton në periferi, më qetë. Si artist beson se bota ka ndryshuar, por për ballkanasit është me rëndësi të gjejnë formulën për jetë.
Borislav Beljanski, Muzikant Nga Novi Sad: “Ne jemi të lidhur dhe unë ballkanasit i quaj një popull që janë të mrekullueshëm dhe kontraversë, por edhe luftarakë. Por, gjithmonë një popull i zgjuar që ka muzikë, vallëzim, shkrimtarë, filozofë dhe të gjithë këta janë në këtë fuci baruti. Duhen gjetur gjërat e mira dhe të shfaqen në hapësirë. Ne kur kemi festival vijnë nga tërë rajoni”.
Kumbara i tij ka qenë shkrimtari i famshëm, Danillo Kish, i cili nacionalizmin e përceptonte si paranojë kolektive. Në këto fjalë është edhe Biljanski.
Borislav Beljanski, Muzikant Nga Novi Sad: “Pajtimi në rajon është gjëja më e rëndësishme që duhet të ndodhë, kjo më së paku për pleq sic mua, por më së shumti për të rinjtë e fëmijët që megjithatë duhet të kenë një jetë normale”.
Kujtimet e vjetra shpalosin një jetë idilike, me jetë të sigurta dhe mundësi. Novosadasit si Biljanski shpresojnë që dicka do tu ngelet gjeneratave të reja në trashëgimi.
Gazetar i ABC News Beograd: Idro Seferi