U qëllua nga policia, humb jetën autori i masakrës në Bruksel

schedule10:05 - 17 Tetor, 2023

schedule 10:05 - 17 Tetor, 2023

Sipas gazetës belge La Libre, terroristi i ISIS-it që vrau dy turistë në qendër të Brukselit, duke përhapur sërish terror në zemër të Europës ka humbur jetën.

Më herët autoritetet belge thanë se kishin neutralizuar një të dyshuar për sulmin terrorist, ndërsa pak më vonë konfirmuan se ishte vrasësi. Ai u pa i armatosur mëngjesin e sotëm në një kafene në periferi të Brukselit, Schaerbeek.

Terroristi u qëllua mëngjesin e sotëm gjatë arrestimit. Ai u dërgua në reaminacion dhe ndërroi jetë pak më vonë. Gjatë arrestimit të tij u gjetën disa armë, përfshirë kallashnikovin që përdori për të vrarë dy turistet suedezë në një qendër tregtare në zemër të kryeqytetit belg.

Një tjetër turist suedez mbeti i plagosur rëndë në masakrën e djeshme, ndërsa autori bërtiti “Allahu Akbar” gjatë sulmit. Terroristi u largua nga vendi i sulmit dje me një motoçikletë dhe postoi një video në rrjetet sociale, duke thënë se ishte anëtar i ISIS.

“Kam vrarë të pafetë, jetojmë dhe vdesim për fenë tonë”, ka thënë ndër të tjera ai, duke shtuar se ka qëlluar dy persona për të “marrë hak për myslimanët”.

Policia është në kërkim të dy personave të tjerë, raportojnë mediat belge.

/abcnews.al