Google paditet për diskriminim të gjuhës shqipe

schedule11:26 - 13 Tetor, 2023

schedule 11:26 - 13 Tetor, 2023

Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për faktin që nuk ka përfshirë gjuhën shqipe në gjuhët e mbështetura nga gjiganti teknologjik. Padia është bërë nga shtetasi Haki Dervishi dhe Neshad Asllani, mjek kosovar, anëtar i bordit të organizatës “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në Nju Jork.

Në njoftimin që citojnë mediat në Kosovë, thuhet se paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në fusha të caktuara, pasi janë të përjashtuar nga Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.

“Paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që shqipfolësit të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, marketingut dhe gazetarisë, pasi janë të përjashtuar nga Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob”, thuhet në komunikatë./abcnews.al