Rrezikohet “stoli” i Silhavy, tekniku çek “justifikon” veten: Një humbje me 10 lojtarë është e pranueshme

schedule09:56 - 13 Tetor, 2023

schedule 09:56 - 13 Tetor, 2023

“Legjionarët” tanë kanë zhvilluar një ndeshje “magjike” mbrëmjen e kësaj të enjteje, që sapo lamë pas, teksa në mitkun “Air Albania”, mundën me rezultatin e thellë, 3 me 0, duke “blinduar” kështu vendin e parë në grupin E, të vlefshëm për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024 e duke iu afruar akomë më shumë, për herë të dytë, një kualifikimi historik në turneun prestigjioz.

Mirëpo, nëse në rastin tonë filloi festa, totalisht e kundërta ka ndodhur në kampin kundërshtar, me teknikun Jaroslav Silhavy që tashmë rrezik shkarkim nga pankina e çekëve, megjithatë për mediat pas ndeshjes, tekniku 61-vjeçar u shpreh se një humbje ndaj Shqipërisë, me 10 lojtarë në fushë është mëse e justifikueshme.

“Është një temë delikate që duhet menduar, detyra ime tashmë është të përgatis skuadrën për ndeshjen e radhës, të dielën ndaj Ishujve Faroe. Nuk e di se çfarë vendimi do të marrë Federata. Ishte një rezultat i keq dhe është një humbje që nuk më pëlqen. Por, duhet të shohim edhe si erdhi ajo, nuk dua të justifikohem. Por, me një lojtar më pak për më shumë se një pjesë loje, atëherë edhe një rezultat i tillë qëndron.

Patëm një qasje të gabuar të ndeshjes, e komplikuam shumë dhe në vend që të ishim konkretë, nisëm të luanim në hapësira të qeta. Pastaj pësuam që në goditjen e parë që morëm. Ishte një goditje e fortë nga distanca, kundërshtari më pas u mbrojt mirë. Në vend që të barazonim, ngelëm me 10 vetë. Kërkuam që të rriskonim pak më shumë, por ata dinin shumë mirë të thyenin aksionet. Ishin të rreshtuar mirë në mbrojtje dhe bënë kundërsulme të shpejta, ne nuk patëm sukses”,- u shpreh “numri 1” i pankinës së Çekisë. /i.m /abcnews.al