Dy probleme në mesin e fushës për Juventusin. Pas pezullimit të Paul Pogba për çështjen e dopingut (pozitiv për testosteron), bardhezinjtë rrezikojnë të humbasin edhe Nicolo Fagiolin, nën hetim nga prokuroria e Torinos për baste në platforma të paligjshme.
Çështja ka përfunduar në prokurorinë e Federatës së Futbollit. Me 22-vjeçarin që rrezikon një pezullim 3-vjeçar. Massimiliano Allegri përballet në këtë mënyrë me një emergjencë në mesfushë, ku Juventusi as dy muaj nga nisja e sezonit shikon t’i mungojnë dy elementë të rëndësishëm.
Trajneri ka nevojë për të paktën një përforcim sa më shpejt, në merkaton e janarit. Emri në krye të listës së drejtuesve është ai i Pierre-Emile Hojbjerg, danezi 28-vjecar i Tottenhamit.
Po punohet për një huazim me të drejtë blerjeje, ndërsa klubi anglez kërkon 30 milionë euro për ta shitur menjëherë. Lojtari nuk po preferohet nga Postecoglu ndaj në Torino besojnë se mund t’ja marrin Spursave me kushtet e tyre.
Alternativat gjithsesi nuk mungojnë, duke nisur nga Lazar Samardzic i Udineses. Për të vazhduar me Habib Diarra të Strasbourg e deri te Joao Neves i Benfikës dhe Khepren Thuram i Nice, vëllai i interistit Marcus.
Kërkohet edhe një fantazist, dhe në këtë rast i përzgjedhuri mbetet Domenico Berardi për të cilin u negociua edhe në gusht. Nëse nuk bëhet edhe këtë herë, Juventusi do të tentojë talentin e Shakhtar Donetsk: Georgiy Sudakov.