Pamje rrëqethëse/ BBC hyn brenda komunitetit izraelit ku Hamasi masakroi familje të tëra

schedule12:22 - 11 Tetor, 2023

schedule 12:22 - 11 Tetor, 2023

Kfar Aza në jug të Izraelit është vendi ku është kryer masakër e madhe. Në sulmin e Hamasit gjatë fundjavës së kaluar, aty janë vrarë gra, fëmijë dhe persona të moshuar.

Ekipi i gazetarëve të BBC-së ka shkuar në komunitetin ku gjatë fundjavës ndodhi masakra. Ende ka luftime, në një prej komuniteteve izraelite përgjatë kufirit me Gazën.

Mbi 1000 palestinezë janë vrarë, 5 mijë tjerë të plagosur dhe mbi 260 mijë janë të zhvendosur. Shumica e vrasjeve ka ndodhur në orët e para të sulmit të së shtunës nga ana e militantëve të Hamasit.

“Ushtrisë izraelite, i janë dashur 12 orë që të arrijnë deri në këtë zonë”, tha për BBC, David Ben Zion, zëvendëskomandanti i njësisë 71 të parashutistëve të ushtrisë izraelite.

“Falë Zotit kemi shpëtuar shumë prindër dhe fëmijë. Për fat të keq, disa janë djegur me koktej molotovi. Militantët e Hamasit janë shumë agresiv, të ngjashëm me kafshët”, shtoi Ben Zion.

Ben Zion tha se personat e armatosur të Hamasit që vranë familje, përfshirë foshnjat, ishin “një makineri xhihadiste për vrasjen e civilëve të paarmatosur.

Ai shtoi se disa prej viktimave iu prenë kokat.

“I vranë dhe i prenë kokat, është gjë e tmerrshme ta shohësh. Duhet të kujtojmë se kush është armiku dhe cili është misioni ynë. Ne jemi për të vërtetën dhe anën e duhur, bota duhet të jetë me ne”, shtoi Ben Zion.

Një tjetër oficer tregoi një çantë të përgjakur ngjyrë vjollce. Një gisht i këmbës dilte jashtë. Ai tha se gruaja poshtë ishte vrarë dhe kokën e kishte prerë para shtëpisë. Pak metra më tutje ishte trupi i nxirë dhe i fryrë i një sulmuesi të vdekur të Hamasit, raporton abcnews.al.

Vija e parë e mbrojtjes së Kfar Aza-s ishin rojet e komunitetit, banorë me përvojë ushtarake që patrullonin. Ata u vranë në përleshje me sulmuesit.

Trupat e tyre u hoqën këtë mëngjes nga pozicionet e tyre në qendër të komunitetit, dhe si pjesa tjetër e të vdekurve izraelitë, të mbështjellë me qese të plastikë me ngjyrë të zezë, u transportuan me barela në parking dhe u shtrinë në një rresht në pritje të varrosjes.

Banorët e komuniteteve kufitare të Izraelit janë përballuar me sulme të herëpashershme me raketa që kur Hamasi mori kontrollin e Gazës në vitin 2007.

Ata e kanë pranuar rrezikun si çmimin e jetës rurale në një komunitet të lidhur ngushtë, që ende mban gjurmë të frymës pioniere të vendbanimeve të hershme sioniste, raporton abcnews.al.

Banorët e Kfar Aza-s dhe komuniteteve të tjera izraelite përgjatë kufirit të Gazës gëzonin një jetë të mirë, pavarësisht nga kërcënimi i raketave të Hamasit.

Të gjitha shtëpitë kishin dhoma të sigurta të forcuara. Kishin gjithashtu tarraca në natyrë, park lodrash për fëmijë dhe ajër të pastër.

Por askush në Kfar Aza apo diku tjetër në Izrael nuk e imagjinonte se Hamasi mund të thyente mbrojtjen e Izraelit dhe të vriste kaq shumë njerëz.

Tmerri dhe zemërimi i izraelitëve është i kombinuar me mosbesimin se shteti dhe ushtria kanë dështuar në detyrën e tyre themelore, për të mbrojtur qytetarët e tyre.

Trupat e sulmuesve të vdekur të Hamasit që kishin vrarë kaq shumë u lanë të kalben në diell, të shtrirë të zbuluar ku u vranë në shkurre dhe kanale dhe lëndina.

“Ndërsa iu afruam hyrjes së komunitetit këtë mëngjes, qindra ushtarë izraelitë ishin ende të vendosur përgjatë perimetrit. Ne mund të dëgjonim bisedat e tyre nëpërmjet radios. Komandanti po jepte urdhër për të hapur zjarr në ndërtesën në anën e Gazës.

Menjëherë pas kësaj filluan breshërit e automatikut, të drejtuara përtej kufirit në Gaza”, tha një gazetar i BBC.

/abcnews.al