Tre persona u vranë dhe një u plagos rëndë në qytetin jugperëndimor të Spanjës, Cádiz, pasi u përplasën nga një autobus, drejtuesi i të cilit humbi kontrollin. Sipas autoriteteve autobusi u përplas me kalimtarët e rastit.
Autobusi përplasi njerëzit që ishin në trotuar, tha shërbimi zjarrfikës në Platformën X, duke shtuar se asnjë pasagjer nuk u lëndua.
Videot e postuara në rrjetet sociale treguan automjetin me xhamin e përparmë të thyer dhe zjarrfikësit duke u përpjekur të lëviznin një palmë që kishte rënë mbi autobus, i cili u ndalua pranë një qendre tregtare.
Autoritetet nuk shpjeguan pse autobusi humbi kontrollin, por mediat spanjolle raportuan se automjeti dukej se kishte një problem me frenat.
Kreu i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juan Manuel Moreno, tha se ishte “i mërzitur” nga lajmi i këtij “aksidenti tragjik”.