“Lider me vizion”, Nesho: Albin Kurti i përket gjeneratës së re

schedule17:40 - 7 Tetor, 2019

schedule 17:40 - 7 Tetor, 2019

“Albin Kurti është një lider me vizion”. Kështu u shpreh diplomati Agim Nesho gjatë një bisede të zhvilluar me gazetaren Juli Xhokaxhi në studion e ABC News.

Nesho tha se Kurti ka filluar si një lider populist, por pushteti e ka bërë gjithnjë e më shumë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë dhe e ka kthyer në realist. Për sa i përket zgjedhjeve të së dielës, diplomati tha se u ndëshkuan liderët e partive që drejtuan UÇK-në.

 “Kemi një ndëshkueshmëri, një plotësim cikli të  partive të drejtuesve të UÇK-së. Tani kemi një brez, i cili pas luftës është brez i edukuar në Europë dhe nuk mund të trajtohet në të njëjtën mënyrë nga të tjerët. Të dy liderët nuk kanë provokuar të kaluarën, por janë protagonistët të së ardhmes. Këto zgjedhje ishin edhe një reagim, një votim popullor si do reagonte ndaj projektit të propozuar nga Vuçiç dhe i pranuar nga udhëheqësit lokal për një projekt të ri në Ballkan. Kjo tregoi që kishte reagim ndaj projektit të Vuçiç. Këto vihen re në ardhjen në pushtet të një dysheje si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani”, tha Nesho.

Pas 11 vitesh duket se Kosova do të ketë një qeveri që nuk vjen nga radhët e UÇK-së. Edhe pse Presidenti Thaçi është nga radhët e UÇK-së, nuk ka një marrëdhënie të mirë me Albin Kurtin. Për sa i përket, funksionimit të këtyre dy institucioneve, presidencë-ekzekutiv, Nesho tha se politikën do ta luajë qeveria.

“Ka një moment që politikën në një qeveri parlamentare e kanë përcaktuar edhe më parë që është qeveria që e luan politikën. Që në parlamentin e shkuar e kufizuan presidentin Hashim Thaçin duke i vënë disa viza të kuqe që kanë të bëjnë me sovranitetit të Kosovës dhe mos prekjen e projektit të Ahtisarit. Në këtë kuptim edhe vota, një votë popullore e forcon këtë gjë. Kemi një president që do të jetë i limituar dhe një kryeministër që me pozicionin e tij që ne nuk e dimë akoma, por ka reflektuar nga e kaluara do të jetë i fortë. Kemi një kryeministër nga një gjeneratë e re”, tha Nesho./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!