Sulmi i papritur nga Hamasi, sfida më e madhe ushtarake për Izraelin në 50 vitet e fundit

schedule12:56 - 8 Tetor, 2023

schedule 12:56 - 8 Tetor, 2023

The Independent

 Grupi militant Hamas, i cili sundon Gazën dhe që është cilësuar si një organizatë terroriste nga Britania e Madhe nisi një sulm të paprecedentë të befasishëm ndaj Izraelit, me luftëtarët që shkatërruan gardhet kufitare dhe vranë izraelitët, dhe morën peng civivël duke qëlluar mijëra raketa nga Rripi i Gazës.

Nuk është shumë dramatike të thuhet se sulmi i djeshëm ishte sfida më e rëndësishme ushtarake ndaj Izraelit në gjysmë shekulli, që nga Lufta e Yom Kipurit e vitit 1973 (e njohur edhe si Lufta e Tetorit), kur një koalicion shtetesh arabe nisën së bashku një sulm të befasishëm.

Hamasi organizoi sulmin në shkallë të gjerë pothuajse 50 vjet nga dita e fillimit të atij konflikti. Dhe askush nuk e mendoi se do të ndodhte. Izraeli thotë se tani është shumë i vendosur për luftë, raporton abcnews.al.

“Ky nuk është një i ashtuquajtur operacion ushtarak, as një “raund” tjetër luftimesh”, deklaroi kryeministri Benjamin Netanyahu, teksa urdhëroi një rekrutim të gjerë rezervistësh dhe mobilizim të forcave për të luftuar.

“Armiku ynë do të paguajë një çmim që nuk e ka parë kurrë. Jemi në luftë, do të fitojmë”.

Retorika e kujdesshme që shfaqet ndonjëherë në fjalimet e zyrtarëve izraelitë në kohëra përshkallëzimi ushtarak, duke përfshirë fraza si “reagim proporcional” dhe “mbrojtje”, mungonte në këtë deklaratë. Këtë herë është ndryshe. Dhe pasojat do të jenë të mëdha.

Fjalimi i Netanyahut ka të ngjarë të vendosë të gjitha opsionet në tryezë, nga një pushtim i afërt tokësor i Gazës, siç nuk e kemi parë kurrë më parë, deri te ridislokimi i mundshëm afatgjatë i ushtarëve izraelitë brenda Gazës. Do të ishte i pari që nga tërheqja e njëanshme e Izraelit nga Rripi i vogël i Gazës në vitin 2005.

Do të ketë pasoja për Bregun Perëndimor të paqëndrueshëm, të pushtuar, ku në muajt e fundit dhuna është rritur dhe ku rreth 200 palestinezë janë vrarë në sulmet ushtarake izraelite vetëm këtë vit, raporton abcnews.al.

Izraeli ka të ngjarë ta zhvendosë egërsinë e reagimit, pasi të sigurojë jugun, në perëndim.

Negociatat e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve kanë qenë prej kohësh të vdekura, por çdo dritë shprese për të rindezur idenë e një zgjidhjeje me dy shtete, tani mund të shuhet.

Disa kanë argumentuar me kalimin e viteve, se Izraeli ka luajtur me kërcënimin ekzistencial të Hamasit dhe fraksioneve militante të lidhura me të. Tani e tutje, Izraeli do të përmendë 7 tetorin si shembull të një kërcënimi të tillë.

Për izraelitët, do të ketë pyetje të zhurmshme, se si ky sulm nuk u zbulua në radarin e inteligjencës. Izraeli është i famshëm si vendlindja e softuerit më të fuqishëm të mbikëqyrjes në botë.

Kur jeni në Rripin e Gazës, e vetmja konstante është zhurma e pandërprerë e dronëve vëzhgues izraelitë në qiell. Ata kanë inteligjencë në terren. Ata kanë (ose kishin) pothuajse kontrollin e plotë të asaj që ndodh brenda dhe jashtë Gazës përgjatë kufijve të saj, pasi vendosën një bllokadë 16-vjeçare, pas marrjes së dhunshme të Rripit nga Hamasi në vitin 2007.

Por me sa duket, ata nuk e kanë parë këtë sulm të afrohej. Izraelitët në “ombrellën e Gazës”, që janë zonat në Izrael rrotull Gazës, po strehohen në shtëpitë e tyre dhe fshihen ndërsa njerëz të armatosur të Hamasit bredhin rrugëve. Të tjerë izraelitë u thanë rrjeteve lokale se militantët ishin në të vërtetë brenda shtëpive.

Pamjet filmike tregonin civilë izraelitë që vraponin për të shpëtuar jetën  nëpër fusha.

Video të tjera të shpërndara nga media e Hamasit, të cilat nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur, tregonin militantët palestinezë duke mbajtur peng civilë izraelitë, duke marrë ushtarë robër dhe duke sjellë trupat e ushtarëve izraelitë në Gaza. Kishte pamje të gardhit kufitar të copëtuar dhe gjithashtu një tank të shkatërruar izraelit.

Grupi militant libanez Hezbollah, i cili mbështet Hamasin, tha se sulmi ishte një përgjigje ndaj “krimeve të okupimit dhe agresionit izraelit në vendet e shenjta” dhe synonte të dërgonte një mesazh të qartë për botën arabe dhe islame “veçanërisht atyre që përpiqen për normalizim”, raporton abcnews.al.

Kjo deklaratë flet për Arabinë Saudite dhe SHBA. Uashingtoni po punonte për arritjen e një marrëveshjeje që do të normalizonte lidhjet midis Izraelit dhe Arabisë Saudite për herë të parë, duke ndjekur hapat e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Arabia Saudite lëshoi dje një deklaratë jashtëzakonisht të shpejtë duke bërë thirrje për “ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit midis dy palëve”.

Deklarata shtoi me kujdes se “mbretërisë i kujtohen paralajmërimet e saj të përsëritura për rrezikun e një situate shpërthyese, si rezultat i okupimit të vazhdueshëm dhe privimit të të drejtave të popullit palestinez.”

A ka frikë Riadi nga dhuna brenda kufijve të tij?

Tani për tani situata është shqetësuese dhe gjithnjë e më e dhunshme. Policia izraelite, e cila po thërret gjithashtu të gjithë rezervistët dhe vullnetarët, tha se kishte “21 skena aktive” në jug të Izraelit, duke treguar shtrirjen e sulmit.

Raketat ende godasin Izraelin jugor, sirenat ende dëgjohen. Ushtria izraelite nuk e ka marrë ende kontrollin e plotë të jugut. E vetmja siguri është se ky është një moment përcaktues dhe i përgjakshëm në histori.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!