Politika shqiptare ka përshëndetur procesin zgjedhor në Kosovë. Presidenti, kryeministri dhe opozita janë në të njëjtën mendje, kur i cilësojnë zgjedhjet e shtetit më të ri në Evropë, si një shembull demokracie dhe standardesh zgjedhore.
Politika shqiptare ka uruar Kosovën për zgjedhjet e së dielës, duke vlerësuar standardet e larta me të cilat u mbajtën ato. Presidenti Ilir Meta thotë se shteti i ri bëri diferencën në rajon.
“I treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë!”.
Kryeministri Rama ka vlerësuar pranimin e rezultatit.
“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare! Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mire! Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mire! Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit”.
Kreu demokrat Lulzim Basha u përqëndrua tek pjesëmarrja e lartë dhe veprimi i shpejtë i prokurorisë për të ndalaur ata që fotografojnë votën.
“Populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cënuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë.
Penguesin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, në emër të Partisë Demokratike e shpalli Oerd Bylykbashi.
Pas demokratëve, u shpreh dhe Monika Kryemadhi.
Pavarësisht këtyre deklarimeve, palët politike janë larg një konsensusi në tryezën e reformës zgjedhore që do të përmirësonte rregullat e lojës. /ABC News Albania 24/7