Kaos në Granada/ Mega-mbledhja e liderëve europianë përfundon pa asnjë vendim

schedule12:36 - 6 Tetor, 2023

schedule 12:36 - 6 Tetor, 2023

Nga Clea Caulcutt, Nicholas Vinocur dhe Sarah Anne Aaurup, Politico

Një samit ku u mblodhën afër 50 liderë europianë, dhjetëra këshilltarë dhe legjione gazetarësh, përfundoi si një ‘flluskë’ kur pjesëmarrësit nuk arritën të bënin ndonjë përparim të rëndësishëm për të zgjidhur konfliktet në pragun e Europës ose ndonjë çështje tjetër rajonale.

Komuniteti Politik Europian, u cilësua nga këshilltarët si një mundësi për të ndërmjetësuar paqen midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, për të de-përshkallëzuar tensionet në Ballkan dhe për të zhvilluar një bisedë strategjike për sigurinë e kontinentit.

Ndërsa liderët u mblodhën rreth Volodymyr Zelenskyy të Ukrainës, i cili ishte në Granada për mbështetjen e Europës mes shqetësimeve të SHBA-së për ndihmën ndaj Ukrainës, ata nuk arritën të bënin përparim në konfliktet e tjera në mungesë të ‘lojtarëve’ kryesorë.

Shpresat e të pranishmëve në marrjen e hapave për zgjidhjen e krizës humanitare në Nagorno-Karabakh u shkatërruan kur si Ilham Aliyev i Azerbajxhanit ashtu edhe Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë vendosën të mos merrnin pjesë në mbledhje, raporton abcnews.al.

Udhëheqësit shpresonin të organizonin takimin e parë midis Aliyev dhe Nikol Pashinyanit të Armenisë që kur Azerbajxhani nisi një ofensivë rrufe në Nagorno-Karabakh, duke shkaktuar një eksod prej 100,000 refugjatësh.

Azerbajxhani akuzoi Francën për njëanshmëri në negociata dhe në fund ra dakord të bisedonte, por vetëm nën kujdesin e BE-së në Bruksel, sipas këshilltarit presidencial të Aliyev, Hikmet Hajiyev, në mediat sociale.

Përpjekjet për të zbutur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin po aq të kota. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani refuzoi bisedimet me homologun e saj serb Aleksandar Vuçiç nëse nuk vendoseshin sanksione kundër Beogradit, pas sulmit terrorist në Kosovë.

Por çdo gjë u duk sikur arriti kulmin kur vendi pritës, Spanja, anuloi një konferencë shtypi të planifikuar në minutën e fundit, pika kryesore e pritur e samitit për rreth 700 gazetarë.

Konferenca kishte për qëllim të përfshinte deklarata dhe të shënonte zyrtarisht dorëzimin e administrimit të Komunitetit Politik Europian nga Spanja në Mbretërinë e Bashkuar.

Mungesa e entuziazmit të liderëve për samitin ishte e dukshme që në fillim të ditës, kur shumë të ftuar nuk mund të shqetësoheshin të ndalonin dhe të ndanin disa mendime me masën e gazetarëve që prisnin. Giorgia Meloni e Italisë kaloi pranë, duke folur në telefon, raporton abcnews.al.

As kancelari gjerman Olaf Scholz dhe as ai i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak nuk mbajtën konferencë për shtyp. Emmanuel Macron, ideja e të cilit ishte krijimi i Komunitetit Politik Europian nuk kishte asgjë për të thënë teksa shkonte për në takim.

Përveç forcimit të bashkëpunimit për të luftuar krimin kibernetik midis 47 anëtarëve të EPC-së, Macron përmendi bisedimet për Armeninë të mbajtura në mungesë të antagonistit kryesor Azerbajxhani,  si dëshmi e dobisë së takimit.

I pyetur në lidhje me mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, presidenti francez i quajti miliarda dollarë mbështetjen amerikane si të mrekullueshme, por paralajmëroi se “nuk mund të zëvendësojë mobilizimin tonë europian”.

Por presidenti, i cili qëndronte pas idesë origjinale për EPC, mori më pak pyetje nga gazetarët se zakonisht përpara se të bashkohej me udhëheqësit e tjerë për një turne në mbrëmje në Alhambra.

Presidenca spanjolle nuk pranoi të shpjegojë pse u anulua konferenca kryesore për shtyp. Sipas një diplomati të BE-së, ndërsa nuk kishte “çështje thelbësore”, nuk kishte pothuajse asnjë nevojë për deklarata për shtyp, raporton abcnews.al.

Kur Macron nisi EPC-në në vazhdën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në maj 2022, ambiciet e tij të larta ishin të krijonte “një hapësirë të re për bashkëpunim” dhe të kontribuonte për paqen dhe sigurinë, jo të ishte thjesht një Davos për liderët.

Ndërsa pak përparim u bë në zgjidhjen e konflikteve, bisedimet u përqendruan te emigracioni, një temë e nxehtë për Rishi Sunak, vendi i të cilit ka pak mundësi për të diskutuar këtë çështje me vendet europiane që pas daljes nga Brexit.

Sipas Macron, një takim i dytë është mbajtur midis Sunak, Meloni dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, me premtimet për të rritur bashkëpunimin për ndarjen e informacionit dhe operacionet në vendet e tranzitit dhe ato të nisjes./abcnews.al