“Të vijojë dialogu Kosovë – Serbi”, Rama nga Spanja: Masat duhen marrë sa nuk është vonë

schedule14:02 - 5 Tetor, 2023

schedule 14:02 - 5 Tetor, 2023

Kryeministri Edi Rama, ka folur për mediat nga takimi i Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Granada të Spanjës.

Sa i përket situatës në veri të Kosovës dhe frikës për një luftë, Rama e cilësoi fjalën “luftë” si diçka të madhe, por theksoi se masat duhen marrë sa nuk është ende vonë.

Ai gjithashtu u shpreh se mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë dialogu.

“Lufta është një fjalë e madhe, por përpara se të jetë shumë vonë duhen marrë masa dhe ne po e ndjekim mjaft nga afër. Është shumë e rëndësishme që ka vullnet shumë të fortë dhe ka lëvizje brenda NATO-s për të përforcuar misionin e KFOR-it në veri sepse kufiri aty është bërë tërësisht poroz, transparent dhe të gjitha llojet e armatimeve, të gjitha llojet e trafiqeve të tjera kriminale po ndodhin. Në të njëjtën kohë, shpresojmë fort që do të rinisë dialogu,” tha Rama.

Teksa foli për mundësinë e anëtarësimit, e cila do të jetë një temë që do të preket nesër, Rama ritheksoi faktin se një gjë e tillë nuk ka gjasë të ndodhë së shpejti pasi BE me 27 vende anëtare ka vështirësi në vendimmarrje.

Nuk ka një anëtarësim të klasit të dytë, por siç jemi në këtë situatë, po ka një Europë të klasit të parë dhe një Europë të klasit të dytë midis europianëve që kanë B-në bashkëlidhur dhe europianëve që kanë vetëm E-në, por nuk kanë B-në.

Në të njëjtën kohë, duhet të jemi realistë dhe nuk duhet të shohim gishtin, ndërkohë që tregojmë ku është hëna dhe besojmë që kjo Europë e 27-s e cila ka shumë probleme për të pasur një vendimarje kompakte, për të pasur një të menduar e planifikim strategjik, është në gjendje të zgjerohet me 33, apo 35 apo 37 së shpejti.
Në vend të gjithçka apo asgjë për ne që nuk jemi anëtarë të BE-së duhet gjetur një qasje e re. Duhen gjetur alternativa të reja që duhen marrë në konsideratë dhe sigurisht kjo ndarje brenda duhet të bëhet më shumë ndëraktive.

Për shembull, fryma e komunitetit politik europian duhet dhe mund të transpozohet brenda perimetrit të Bashkimit Europian pa dhënë domosdoshmërish anëtarësimin e plotë sepse kjo nuk do të ndodhë,” shtoi kryeministri./abcnews.al