TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, në një prononcim për mediat foli për përplasjet brenda dy grupimeve në parti dhe mbledhjen e djeshme të deputetëve të grupimit të Gazment Bardhit.
Në këtë takim u vu re një firo, pasi të pranishëm ishin vetë 27 deputetë. Ajo tha se opozita duhet të jetë e bashkuar dhe të bëjë detyrën e saj në raportin kontrollues ndaj qeverisë.
Çupi theksoi se opozita duhet të bëhet bashkë dhe të bëjë detyrën për të cilën është votuar nga qytetarët shqiptarë.
“Ne nuk i duhet të biem pre e numrave. Ka pasur kolegë që kanë qenë prezentë dhe në komisionet parlamentar apo në takimet e tjera të agjendave. Unë nuk kam numëruar dhe nuk do numërojë kurrë kolegët e mi. Ajo që duhet të na bëjë bashkë është qëllimi i të bërit opozitë dhe kjo i shërben atyre deputetë, që i kanë votuar qytetarët. Përtej qëndrimeve të ndryshme brenda PD, ajo që ne duhet të na bashkojë është të jemi bashkë për të bërë opozitë ndaj kësaj qeverie. Kjo duhet të na bëjë ne bashkë. Ky është qëndrimi im. Ne mund të bëjmë një opozitë të përbashkët dhe për t’i qëndruar fort asaj që në besojmë për të bërë opozitë ndaj aferave qeveritare.”, tha ajo në “Tirana Live”./ abcnews.al