Pas barazimit në sfidën e parë të grupeve të UEFA Champions League, ndaj Real Sociedad, “zikaltërit” e Inter janë rikthyer te fitorja, teksa mbrëmjen e së martës mundën, në “Giuseppe Meazza” me rezultatin minimal 1 me 0, “shqiponjat” e Benfica, duke siguruar kështu 3 pikët e para në grupin D.
Përveç tifozëve, kjo fitore gëzoi jo pak dhe teknikun, Simone Inzaghi, i cili pas ndeshjes bëri dhe një koment të shkurtër për mediat, nga ku vlersoi jo pak performancën e “zikaltërve” dhe në veçanti përshtatjen me grupin, të francezit, Benjamin Pavard.
“Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, por ne patëm disa mundësi për të shënuar. Na mungoi qartësia përpara portës. Në pjesën e dytë e shtuam intensitetin, djemtë ishin të mahnitshëm. Fituam me meritë një takim kundër një kundërshtari me vlera. I komplimentova djemtë për fitoren. Ishte i jashtëzakonshëm intensiteti me të cilin luajtëm në 45 minutat e dyta.
Çfarë u thashë lojtarëve në pushim? U thashë se ishim në lojë dhe që ishim të fokusuar. Kërkova që të ruanin kthjelltësinë, pasi mund t’i zgjidhnim më mirë disa situata. Më pëlqeu shumë dëshira e skuadrës për fitore. Duhet të vazhdojmë kështu.
Pavard? Ai është një lojtar, cilësitë e të cilit të gjithë i njohim. U entuziazmova shumë kur drejtuesit më përmendën emrin e tij. Mënjeherë u përgjigja se bëhej fjalë për një futbollist të mrekullueshëm.
Drejtuesit e ndiqnin prej muajit janar. Pavard nuk ka nevojë për prezantim, ai është një kampion bote, por më ka pëlqyer shumë mënyra se si është integruar me grupin. Ai gjeti Thuram dhe Mikhtaryan, i cili flet një frëngjishte perfekte. Të dy e kanë ndihmuar shumë të përshtatet”,- theksoi trajneri i Inter. /i.m /abcnews.al