“Serbia imiton Kinën në politikën që ndjek karshi Kosovës”, Albert Prenkaj: Kurti duhet të jetë i vëmendshëm, Vuçiç luan me dy gjuhë

schedule21:15 - 3 Tetor, 2023

schedule 21:15 - 3 Tetor, 2023

Ish ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla theksoi se Serbia po përpiqet të imitojë shtete të fuqishme në politikën e saj karshi Kosovës. Ai përmendi sjelljen e Kinës ndaj Tajvanit, që sipas të cilit, po ndjek dhe Serbia.

“Serbia imiton shtetet e fuqishme si Kina karshi Tajvanit. Kina ka një politikë që ndjek dialogun por sipas Pekinit zyrtar, është ri-integrimi i Tajvanit në Kinë. Në të kundërt, Kina do të përdorë fuqinë ushtarake që ta rikthejë Tajvanin në Kinë. Kjo është politika afatgjatë e Serbisë. Serbia, nën ndikimin e forcave perëndimore, është futur në dialog me Kosovën që po zgjat që nga viti 2011, me rezultate të kohëpaskohshme. Duhet të pranojmë që qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa masa ndaj veriut, të pakoordinuara me ndërkombëtarët, që kanë rezultuar me tensionim të situatës, largimin e serbëve lokal nga institucionet lokale dhe veriu është shndërruar në një teatër jo institucional që ofron hapësirë për ndërhyrje të ndryshme.”, theksoi ai.

Sipas tij, Kurti duhet të jetë i vëmendshëm sidomos pas sulmit në veri të Kosovës pasi, siç shtoi ai, presidenti serb Aleksandër Vuçiç përdor dy ‘gjuhë’. Sipas tij, njëra është ballkanike, që e përdor për Kosovën dhe për politikat e brendshme në Serbi dhe tjetra është ajo që përdor me Perëndimin.

Në Serbi janë zgjedhjet dhe Vuçiçit i duhet një retorikë nacionaliste që e ka përdorur deri më tani. Nëpërmjet temës së Kosovës, tenton që të ruajë pozicionin e tij në pushtet. Kemi edhe Kurtin që ka shfrytëzuar veriun gjithmonë, përmes së cilës ka fituar një simpati tek popullata e Kosovës. A do të jetë Kurti i disponueshëm që të futet në negociata, besoj se më në fund ishte dashur të kuptojë seriozitetin e situatës dhe të vazhdojë të negociojë. Mendoj se është më mirë të negociohet për një mijë vite sesa të humbet një jetë njeriu.

Ne jemi dëshmitarë që gjatë procesit të negociatave në të cilin është futur kryeministri Kurti kemi parë një pozicionim inferior të Kosovës karshi Serbisë dhe në këtë linjë unë besoj se Kurti duhet të jetë shumë i vëmendshëm sepse presidenti serb ka negociuar me të gjithë politikanët e Kosovës dhe është i paparashikueshëm. Ai ka dy gjuhë, është gjuha ballkanike që përdor ndaj Kosovës dhe për nevojat e brendshme në Serbi dhe gjuha perëndimore, me të cilën di të manipulojë dhe të përfitojë në anën e tij komunitetin ndërkombëtar.”, theksoi ai./abcnews.al