Rama: Kemi luajtur 10 kundër 12, sot meritonim më tepër

schedule20:36 - 5 Tetor, 2019

schedule 20:36 - 5 Tetor, 2019

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, foli për mediat pas ndeshjes kundër Teutës. Rama shpërtheu ndaj FSHF-së, duke e quajtur si pabarazi vendimin për klubin e Partizanit dhe atë ndaj Tiranës. Gjithashtu, pati edhe disa kritika ndaj arbitrimit. Në fjalën e tij, Rama tha:

“Unë e kam thënë dhe herë të tjera, më shumë rëndësi ka paraqitja e ekipit, serioziteti, sesa tre pikët. Sot fatkeqsisht e nisëm ndeshjen me një karton të kuq: Tifozët, që janë lojtari ynë i 12-të dhe që i donim me domos në stadium. E diskutuam dhe me Federatën, por nuk u dëgjuam dhe mendoj se është një barazi mes nesh dhe Tiranës”.

“Më pas, na u ndëshkua dhe Romero me karton të kuq dhe luajtëm 10 kundër 12. Ju e dini shumë mirë se unë nuk merrem me episodet dhe nuk flas për arbitrat. Nuk dua të flas as për dy kartonët e verdhë të Romeros, pasi bëri vetëm një gjysmë faulli dhe mori të kuq. Ndërsa mbrojtësi i Teutës, në mënyrë flagrante ndërhyri ndaj Cordeiros dhe nuk u ndëshkua. Kjo është një ngjarje që unë mund ta përshkruaj ose si gabim padashje e një arbitri që ka shumë vite që drejton në Superiore, ose e një arbitri që e ka pasur si qëllim diçka të tillë. Ai nuk gjykonte lojtarët me uniformë blu”.

“Sot, djemtë tanë luftuan shumë ndaj një ekipi që është i pari në klasifikim. Meritonim shumë më tepër. Gjithsesi, unë i përgëzova djemtë dhe jemi të gjithë koshientë që duhet të përmirësohemi edhe më shumë. Kam besim te ky ekip dhe te vazhdimësia. Unë nuk i druhem asgjëje. Kam parë arbitrimin në këto 7 javë dhe nuk merrem me këtë pjesë. Nuk dua të merrem me faktin se sa e meritoi Romero atë karton të kuq, por me atë faull të lojtarit të Teutës në mesfushë. Ai ishte karton i verdhë, i dyti për të, dhe 10 kundër 10, do të shikonim si do të shkonte loja. Meritonim më tepër, por kënaqemi me kaq sa morëm, nga ana morale”.

“Do të bëjmë një hap konkret dhe do t’iu them lojtarëve të merren vetëm me lojën e tyre dhe aspak me arbitrimin. Në kampionatin shqiptar, duhet të ketë me shumë Fair-Play. Gjithsecili nga ne duhet të tregohet Fair-Play. Arbitrimin do e vlerësojë dikush tjetër dhe nuk merrem fare me këtë pjesë. Partizani nuk ka pse të mendojë si të luajë me 10 lojtarë. Unë kam dëshirë që të luajnë shumë lojtarë me Partizanin, pasi dhe në stol ka lojtarë shumë të mirë. Unë do të vazhdoj të besoj se këto vendimet e arbitrave, janë gabime njerëzore”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!