Llapi nuk humbiste në shtëpi që prej 15 majit (1-3 kundër Feronikelit), teksa sot është befasuar nga Ferizaj. Katër herë kanë shënuar miqtë, duke siguruar një trepikësh të artë për mbijetesën.
Llapi nuk arriti të ruante kryesimin dhe kjo humbje erdhi në momentin më të keq. Livoreka dhe Mustafa i dhanë avantazhin e dyfishtë miqve, ndërsa Mentor Zhdrella realizoi me stilin “Panenka” penalltinë e fituar në minutat e fundit të pjesës së parë.
U duk se ekipi i Batatinës do të reagonte, por Ferizaj shënoi dy herë të tjera në pjesën e dytë. Asani dhe Shala thelluan rezultatin, ndërsa ekipi nga Podujeva shkurtoi rezultatin me golin e Maliqit në minutën e 83-të.
Përfundimisht 2-4 për Ferizajn, që ngjitet në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Llapi zbret në vend të tretë me 17 pikë. /abcnews.al
IPKO SUPERLIGA E KOSOVËS – Java 9
E shtunë, më 5 tetor, ora 14:30
Llapi-Ferizaj 2-4
Shënues: Zhdrella 43’ (pen), Maliqi 83′ / Livoreka 3’, Mustafa 33’, Asani 47’, Shala 67’