Detaje/ Polici lejoi të kalonte jashtë shtetit Elidon Çelën, i riu u kap me mbi 500 mijë euro të padeklaruara 1 vit më parë

schedule09:36 - 23 Shtator, 2023

schedule 09:36 - 23 Shtator, 2023

Personi që është ndihmuar për të kaluar jashtë territorit shqiptar nga polici Gledis Lushi, është Elidon Çela.

Gazetari i ABC News, Leonidha Musai raporton se Çela është kapur në Itali, dhe autoritetet italiane kanë informuar ato shqiptare.

“Polici, pak kohë më parë kishte lejuar kalimin përtej kufirit, në drejtim të Italisë. Kanë qenë autoritetet italiane që kanë kapur Çelën përmes sistemin TIMS, ka arritur ta vërë në pranga. Janë lajmëruar auoritetet shqiptare, që kanë nisur menjëherë hetimet. Nga kamerat janë parë pamje që kontrollori nuk e ka futur në sistem Çelën”, raportoi gazetari Musai.

I riu nga Lushnja është pronari i Agjencisë “Buon Aventura”, i cili u arrestua në portin e Durrësit në tetor të vitit të shkuar me 522 mijë euro të padeklaruara.

Në dhjetor të 2022, Çela u lirua me masë më të butë sigurie, me detyrim paraqitje nga Gjykata e Apelit Durrës.

Por në 14 shtator, Gjykata e Lartë i ndryshoi sërish masën dhe e riktheu në burg, duke e shpallur Elidon Çelën në kërkim.

Ai rezulton të ketë kaluar në Portin e Durrësit më 17 shtator, pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe është lejuar nga polici Gledis Lushi që të kalojë në mënyrë të kundraligjshme.

Sipas burimeve, Çela ka rënë në prangat e policisë pak ditë më parë, pasi është riktheyr sërish në Shqipëri, po përmes portit të Durrësit./abcnews.al