Kremlini tha sot se një rritje e tensioneve midis Ukrainës dhe aleatëve të saj europianë është “e pashmangshme” , duke reaguar ndaj përplasjes intensive midis Kievit dhe Polonisë për eksportet e grurit ukrainas .
“Ne parashikojmë që këto fërkime midis Varshavës dhe Kievit do të rriten,” tha zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me njoftimin e Polonisë se do të ndalojë dërgesat e armëve në Ukrainë.
“Ne e kuptojmë se midis Kievit dhe kryeqyteteve të tjera europiane, tensionet gjithashtu do të rriten me kalimin e kohës, kjo është e pashmangshme. Dhe gjatë kësaj kohe ne vazhdojmë ‘operacionin tonë special ushtarak’ (në Ukrainë) për të përmbushur objektivat që kemi vendosur,” vuri në dukje Peskov.
Rusia është në gatishmëri për çdo kërcënim nga Polonia, tha zëdhënësi i Kremlinit, duke e quajtur vendin “agresiv” dhe një problem për aleatin e saj Bjellorusi.
Polonia javën e kaluar zgjati embargon e saj ndaj grurit ukrainas për të mbrojtur ato që tha se ishin interesat e fermerëve të saj, duke shkaktuar një krizë me Kievin, pavarësisht se e ka cilësuar Ukrainën një aleat të ngushtë
Si hakmarrje, Ukraina i bëri thirrje Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) kundër Polonisë, Sllovakisë dhe Hungarisë, të cilat gjithashtu mbajtën kufizime për grurin ukrainas pavarësisht se Brukseli i hoqi ato.
Polonia më pas njoftoi se nuk do të dërgojë më armë në Kiev, por do të dërgojë armët që tashmë ka premtuar për Kievin, pasi dëshiron të fokusohet në modernizimin e ushtrisë së saj.
Varshava është një nga aleatët kryesorë të Kievit në luftën kundër pushtimit ris dhe ndihma ushtarake perëndimore kalon kryesisht përmes territorit të saj.
/abcnews.al