Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, tha se shpreson që armenët etnikë, që jetojnë në Nagorno-Karabak, të mund të qëndrojnë në këtë rajon, pasi Azerbajxhani pretendoi se operacioni i tij “kundër terrorizmit” bëri që ky rajon i shkëputur të vihej sërish nën kontrollin e tij.
Deklarata e Pashinianit e bërë më 22 shtator vjen në kohën e rritjes së tensioneve në Jerevan, ku protestuesit kanë kërkuar që Qeveria armene të ofrojë menjëherë mbështetje për armenët etnikë në Nagorno-Karabak.
Liderët opozitarë kanë njoftuar se planifikojnë të nisin procedurat për shkarkimin e Pashinianit, ndërkaq protestat antiqeveritare kanë vazhduar edhe në mëngjesin e 22 shtatorit, ku qytetarët janë mbledhur në qendër të qytetit.
Mbi 80 persona janë arrestuar më 22 shtator në protestat antiqeveritare në kryeqytetin armen.
Protestuesit janë zotuar se do të vazhdojnë demonstratat deri në largimin e Pashinianit, duke shtuar se planifikojnë të pengojnë një takim të kabinetit të tij që pritet të mbahet më vonë gjatë të premtes.
Protestat nisën më 20 shtator dhe policia ka përdorur shok-bomba gjatë protestave dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë “masa të posaçme” nëse vazhdojnë përleshjet.
Azerbajxhani ndërkaq ka paralajmëruar një amnisti për luftëtarët në Karabak që dorëzojnë armët. Një armëpushim i arritur ndërpreu luftimet që nisën pasi forcat azerbajxhanase zhvilluan një ofensivë ushtarake më 19 dhe 20 shtator.
Më 21 shtator, përfaqësuesit e Azerbajxhanit dhe udhëheqja e armenëve etnikë zhvilluan bisedime për “riintegrimin” e rajonit të shkëputur brenda Azerbajxhanit. Në takim, palët këmbyen akuza pas raportimeve për shkelje të armëpushimit. Takimi nuk solli ndonjë rezultat, por palët janë pajtuar që të takohen sërish.
Udhëheqja e armenëve etnikë ka kërkuar që Azerbajxhani të garantojë të drejtat e popullatës dhe të ofrojë siguri para se të ndodhë një çmobilizim.
Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e Nagorno-Karabakut, rajon që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit.
Lufta e fundit, e zhvilluar më 2020, përfundoi pas gjashtë javësh pasi Rusia ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi. Nga luftimet, Azerbajxhani fitoi kontrollin e rajonit dhe shtatë qarqeve përreth./REL