Masakra e ndodhur në Drejtorinë e Policisë së Parisit, ku një funksionar i uniformave blu vrau 4 kolegë, po hetohet nga autoritetet franceze si akt terrorizmi. Sipas mediave franceze, çështja e trajtuar fillimisht nga prokurori publik i ka kaluar Anti-terrorit pas mbledhjes së të dhënave paraprake.
Agjentët e Anti-terrorit në Francë kanë marrë në dorë hetimet mbi vrasjen e katër punonjësve të policisë së Parisit nga një kolegu i tyre ditën e enjte.
Agresori 45-vjeçar, specialist i elektronikës, vrau tre oficerë policie dhe një punonjës administrate gjatë sulmit me armë të ftohtë në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit francez.
Motivi i veprimit të tij është ende i paqartë, edhe pse fillimisht sindikata e policisë kishte sugjeruar se shkak ishte bërë një përplasje mes kolegësh.
Por tashmë hetuesit besojnë se të dhënat e reja të mbledhura e çojnë hetimin në pistën e terrorizmit.
Autori i sulmit, Mikael Harpon, i cili u qëllua për vdekje nga një oficer roje, rezulton se ishte konvertuar në mysliman 18 muaj më parë dhe së fundmi kishte rreshtur së foluri me koleget femra në zyrë.
Autoritetet deklaruan fillimisht se nuk kishte të dhëna se sulmi ishte një akt terrori, por kreu i policisë së Parisit tha më vonë për gazetarët se nuk përjashtonte asnjë pistë.
Paraprakisht çështja u menaxhua nga prokurori publik, por ditën e premte situata ndryshoi dhe u kaloi prokurorëve të anti-terrorit, pas të dhënave të mbledhura nga hetuesit e policisë kriminale.
Detajet mbi të dhënat e reja nuk janë publikuar ende, por agjencia “Reuters” thotë se vendimi u mor pas marrjes në pyetje të familjarëve dhe njerëzve të afërt të autorit, si dhe pas kontrollit të telefonit të tij celular./ABC News Albania 24/7