Renato Arapi u gradua kapiten te Teuta, pas largimit të Tefik Osmanit. Mbrojtësi durrsak, në konferencën e sotme për shtyp theksoi se nuk e befason aspak fakti që “Djemtë e Detit” janë në vendin e parë në renditje.
“Nuk jemi shumë të surprizuar për pozicionin, pasi objektivi ynë ka qenë që të pretendojmë më shumë se sezoni i kaluar. Atmosfera është pozitive dhe pas fitores me Kukësin besimi është shtuar edhe më shumë. Ndeshja me Partizanin do të jetë një matës i forcave, në thonjëza”, u shpreh mbrojtësi.
Mbrojtja po bën një punë të mirë te Teuta dhe për këtë Arapi thotë: E kam thënë që në fillim se kam shumë besim te ky ekip. Nuk është vetëm pjesa e mbrojtjes, por të gjithë punojnë për të mbrojtur. Shpresoj që këtë vit të bëjmë akoma më mirë dhe të marrim trofe. Do të thosha që ka harmoni, djemtë janë përshtatur dhe janë shumë të mirë”.
Todorovski është një mungesë e rëndësishme te Teuta dhe kapiteni shton: “Se kush e zëvendëson Todorovksin e vendos trajneri. Sigurisht është një humbje, pasi ishte një titullar bazë. Kushdo që do hyje do e zëvendësojë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Arapi do e pranonte edhe një barazim në transfertë me Partizanin, ndërkohë që flet edhe për duelin me Solomon. “Gjithmonë fitorja i kënaq të gjithë. Kur luhet në transfertë dhe ndaj një ekipi si Partizani, edhe një pikë është mirë. Solomon? Ne e vlerësojmë çdo kundërshtar. Edhe sulmuesin e Partizanit do mundohemi ta vlerësojmë maksimalisht dhe të mos i lëmë shumë hapësira, duke qenë se është një nga pikat kryesore të kundërshtarit”. /abcnews.al