Marco Giampaolo është i qartë në fjalët e tij. Milani do të luajë një finale nesër kundër Genoas dhe kjo transfertë duhet fituar me çdo kusht. Për trajnerin, renditjen dhe moralin e ekipit.
Situata e kuqezinjve është e vështirë dhe Giampaolo nuk fshihet. Trajneri ka një mesazh të fortë për ekipin, ndalet te disa detaje se ku duhet të përmirësohet ekipi dhe është kundër grumbullimeve dhe lënies jashtë të Piatek.
MILANI – “Nuk duhet të mendojmë me unë, por me ne. Interesat personalë nuk vlejnë fare, duhet të mendojmë për të mirën e skuadrës. Humbjet ndikojnë në aspektin shpirtëror të lojtarëve. Gabon ai që mendon se nuk ju plas fare. Kemi gabuar, jemi përballur me gabimet tona, kemi zgjedhur strategjitë për t’u rikthyer dhe ajo çfarë kemi biseduar mbetet mes nesh. Po punojmë për të gjetur ekuilibrin dhe për të mos hasur pengesa si ajo kundër Torinos dhe Fiorentinës.”
SITUATA – “Është normale që pas 4 humbjeve në 6 ndeshje të duket gjithçka e zezë, por nuk është koha të nxitojmë për gjykime përfundimtare. Lojtarët duhet të japin jetën për bluzën që mbajnë veshur. Kanë besuar dhe besojnë tek idetë e mia, por duhet të vuajmë dhe të jemi të vëmendshëm ndaj detajeve. Grumbullimi? Nuk jam dakord, pasi shpeshherë rezulton të jetë i tepërt.”
PIATEK – “Duhet t’i mbyllim më mirë aksionet dhe të përmirësohemi në 20 metrat e fundit. Milani nuk duhet të heqë dorë nga sulmuesi më efektiv i sezonit të kaluar, kush shënon nëse nuk e bën Piatek? Nuk duhet të mendojmë që ta lëmë jashtë, duhet të luajë, të vuajë aty në fushë dhe të marrë përsipër përgjegjësitë e tij.” /abcnews.al