BE gati të reagojë ndaj SHBA: Tarifa të reja për blu jeans, alkoolin e kikirikët

schedule11:26 - 4 Tetor, 2019

schedule 11:26 - 4 Tetor, 2019

Bashkimi Europian reagon menjëherë ndaj tarifave të vendosura nga administrata e Trump, duke paralajmëruar se do të vendosen tarifa të reja për produkte amerikane si Blu Xhins, kikirikët dhe alkoolin.

Pas tarifave të vendosura nga autoritetet amerikane, reagon dhe Bashkimi Europian duke përgatitur kundër masat. Disa prodhime simbol “made in SHBA”, nga peshku atlantik deri tek vera e Kalifornisë, nga kikirikët e deri tek Blu Xhins mund të përfundojnë në listën e prodhimeve të reja që do të jenë objekt i tarifave nga ana e Bashkimit Europian.

Komisioni europian në emër të 28 vendeve anëtare paralajmëroi Uashingtonin duke thënë se përgjigja do të jetë shumë e shpejtë. Bashkimi Europian gjithashtu la të kuptohet se mund ende të shmanget një përshkallëzim i betejës tregtare mes dy skajeve të Atlantikut.

Ndërkohë një listë e prodhimeve amerikane që mund të jenë subjekt tarifash ishte publikuar më parë nga Bashkimi Europian në muajin prill. Bëhet fjalë për një listë prej të paktën 11 faqe.

Edhe Berlini zyrtar ka reaguar nëpërmjet ministrit të financave Olaf Sholz, i cili u shpreh se do të ketë një reagim të vendosur ndaj situatës së krijuar pas vendimit të administratës Trump për tarifat e reja ndaj produkteve europiane.

Më pas ai shtoi se në një botë të globalizuar konfliktet tregtare nuk i bëjnë mirë askujt. Ndërkohë komisioni i Agrokulturës në Parlamentin Europian ka kërkuar të takohet të hënën e 7 tetorit të Bruksel me komisioneren aktuale të tregtisë në BE Sesilia Malmstrom për një mbledhje urgjente. ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!