Nxënës të shkollës së Postribës në Shkodër janë helmuar dhe janë dërguar për ndihmë në spitalin e Shkodrës. Ka dyshime që shkaku është uji i pijshëm por ndërkohë është mbyllur dhe një dyqan fast food pranë shkollës.
Njëri pas tjetrit 26 fëmijë nga Postriba u dërguan me urgjencë në spitalin e Shkodrës. Të gjithë nxënës shkolle, që u ankuan para prindërve dhe mjekëve për dhimbje koke dhe të vjella.
Por këtu në Postribë alarmi është i madh dhe pse nuk dinë shkakun e kësaj ngjarjeje. Ndërprerja e ujit të pijshëm në shkollë, ishte akti i parë nga Drejtoria e Shëndetit Publik.
Dyshimet për ujin e pijshëm nuk i kanë pritur mirë disa banorë të zonës. As ky punonjës i njësisë administrative.
Prindër të tjerë dyshojnë se fëmijët u janë helmuar nga ushqimi. Një fast food pranë shkollës u mbyll nga AKU menjëherë pas urgjencave.
Drejtoresha e Shkollës nuk e paraqet alarmante ngjarjen. Ajo po pret rezultatet e analizave për të mësuar çfarë i ndodhi nxënësve të shkollës që ajo drejton.
Situata u përcoll nga institucionet me pasaktësira përsa i përket numrit të nxënësve që shkuan në spital. Policia njoftoi për 12 fëmijë.
Kurse 20 orë më vonë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega rajonale Shkodër përmes një shkrese zyrtare raportoi për 26 raste me simptoma intoksikimi darkën e së enjtes, 16 raste janë trajtuar në repartin infektiv dhe 10 raste në repartin e pediatrisë.
Kësaj të premte janë të hospitalizuar 7 persona që po marrin shërbim në Spitalin Rajonal Shkodër, nga të cilët 5 janë në repartin infektiv dhe 2 në pediatri./ABC News Albania 24/7