Kryeministri i Izraelit: Disa vende po konsiderojnë zhvendosjen e ambasadave në Jeruzalem

schedule20:27 - 22 Dhjetor, 2017

schedule 20:27 - 22 Dhjetor, 2017

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu bëri të ditur se edhe disa vende të tjera po mendojnë të ndjekin shembullin e SHBA për të zhvendosur ambasadën e tyre në Jeruzalem. Por nuk pranoi të zbulonte kush janë këto shtete.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, në një intervistë për CNN tha se disa vende po konsiderojnë zhvendosjen e ambasadës së tyre në Jeruzalem.

Sipasi tij, kjo ka ardhur për shkak të vendimit të Presidentit amerikan, Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të shtetit hebre.

“Ne tani po flasim me disa vende që po shqyrtojnë seriozisht mbajtjen e një qëndrimi të njëjtë si Shtetet e Bashkuara dhe lëvizjen e ambasadës së tyre në Jeruzalem”, u shpreh Netanjahu.

Shefi i qeverisë izraelite nuk pranoi të zbulonte emrat e këtyre vendeve duke thënë se nuk dëshiron të ndikojë negativisht në vendimin e tyre.

Më tej, ai ripërsëriti se vendimi i Trump është thjesht njohje e së vërtetës historike.

“Jeruzalemi ka qenë kryeqyteti i Izraelit për 3,000 vjet nga koha e mbretit David. Ai ka qenë kryeqyteti i Izraelit për 70 vjet”, theksoi shefi i qeverisë së shtetit hebre.

Ndërkohë, Presidenti amerikan e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit duke thyer konsensusin ndërkombëtar, që statusi përfundimtar i qytetit të shenjtë duhet të vendoset si pjesë e procesit të paqes.

Rezoluta të shumtë të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara bëjnë thirrje për njohjen e Jeruzalemit Lindor si kryeqytet të Palestinës. Ndjekja e qëndrimit amerikan për Jeruzalemin do të nënkuptonte një fitore të madhe për Izraelin dhe humbje për Palestinën./abcnews.al