Me një pjesëmarrje të rëndësishme dhe interes të lartë, për herë të parë në Tiranë në Hotel Plaza, u zhvillua Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Avancuar të Gjirit.
Ky event shkencor mjekësor europian është fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer të Shoqatës Europiane të Imazherisë së Gjirit, Shoqatës Europiane të Radiologjisë, Universitetit të Kembrixhit, Shoqatës Shqiptare të Imazherisë së Gjirit, Shoqatës Shqiptare të Radiologjisë, dhe Shoqatës AMEA – Albanian Medical Education Association, me kontribut të veçantë të Prof. As. Iris Allajbeu.
Për dy ditë me radhë, ekspertë dhe drejtues nga EUSOBI, Universiteti i Kembrixhit dhe Europa ndanë ekspertizën e tyre më bashkëkohore në diagnostikën multidimensionale në Imazherinë e Gjirit, Tomosintezën e Gjirit, MRI-në, Mamografinë me kontrast IV, si edhe Workshope mbi procedurat mini invazive nën guidën e imazherisë, që ishin edhe risia e këtij masterklasi.
I cilësuar si një prej eventeve më të arrira shkencore në fushën e Imazherisë së Avancuar të Gjirit, ky masterklas ndërkombëtar u ndoq nga profesionistë të shëndetit nga të gjitha trevat shqiptare dhe të huaj.
Gjithashtu, për herë të parë në Shqipëri ky aktivitet ka Akreditim Ndërkombëtar nga Bordi Europian i Radiologjisë, kredite CME, të cilat njihen në çdo vend të botës, si edhe nga Oda e mjekëve në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.