Takimi në Bruksel, BE-ja mohon se propozimi i Kurtit ishte i vetmi në tavolinë

schedule10:43 - 15 Shtator, 2023

schedule 10:43 - 15 Shtator, 2023

Burimet e Bashkimit Evropian i kanë hedhur poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, duke theksuar se BE-ja ka paraqitur para palëve një plan të saj për implementimin e sekuencuar.

Të enjten u mbajt rundi i radhës i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve, shkruan REL.

Duke rikujtuar se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja e ka dorëzuar propozimin e kompromisit që implementimi të shkojë paralelisht, burimet e BE-së kanë thënë se qysh në qershor i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe për të kishte pasur deri me tash shtatë runde të takimeve të ndara me palët.

Prandaj, thonë këto burime, pohimi i kryeministrit Kurti se propozimi i tij ka qenë i vetmi në tavolinë, është “thjesht i pasaktë”.

Dokumenti, në të cilin thirren burimet e BE-së përmend që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.

Paralelisht, Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës, apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.

Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.

Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.

Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.

Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore. Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!