Qeveria Netanyahu dhe opozita po shqyrtojnë një propozim të ri kompromisi për t’i dhënë fund krizës disamujore në Izrael për reformën e diskutueshme të sistemit gjyqësor, tha presidenti Isaac Herzog.
Fushata e nisur në janar nga qeveria ultrakonservatore e Netanyahut për të reformuar sistemin gjyqësor të Izraelit ka shkaktuar një valë të paprecedentë reagimesh, duke fundosur monedhën kombëtare, shekelin dhe duke ngritur shqetësime për karakterin demokratik të shtetit hebre.
Presidenti Herzog nuk pranoi të zbulonte detaje të propozimit të ri të kompromisit, duke thënë vetëm se ai mund të përbënte bazën për një marrëveshje midis forcave politike të vendit në mënyrë që Izraeli të mbetet një “demokraci e qëndrueshme”.
“Më lejoni të zbuloj për një moment atë që po shpaloset pas dyerve të mbyllura,” tha Isaac Herzog në një përkujtim në Latrun. “Ky propozim gëzon mbështetje brenda koalicionit qeverisës dhe opozitës,” argumentoi ai dhe u bëri thirrje liderëve politikë të tregojnë vendosmëri për të zgjidhur krizën.
Deklaratat e Herzogut erdhën një ditë pas seancës historike 12-orëshe të Gjykatës së Lartë të Izraelit. 15 gjyqtarët dëgjuan ankesat e paraqitura kundër një neni në reformën e diskutueshme që e ndalon Gjykatën e Lartë të rrëzojë vendimet e qeverisë nëse i konsideron ato “të pajustifikuara”.
Kryeministri izraelit argumenton se reforma në sistemin gjyqësor është e domosdoshme për të kufizuar ndërhyrjet “të tepërta” të drejtësisë në punën e qeverisë.
Benjamin Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, akuzohet se ka përdorur reformën në drejtësi për të zbutur pasojat e një dënimi të mundshëm.
Në Izrael dhe jashtë saj, ekziston frika se reforma do t’i hapë rrugën korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, duke neutralizuar kontrollet në degën ekzekutive.
Popullariteti i qeverisë Netanyahu po bie, pasi sondazhet tregojnë se ajo do të përballej me një disfatë dërrmuese nëse shpalleshin zgjedhje të parakohshme.