Komisioni i Ekonomisë dhe Financave po diskuton sot për projekligjin e lojërave të fatit. Vasilika Vjero tha gjatë fjalës së saj se ligji parashikon 10 licenca që do të përzgjidhen nga komisioni i licensimit në përputhje me kriteret përkatëse ndërsa përmendi edhe ndryshimet në nenin për detyrimet tatimore.
“Tarifa e licensimit nga 1 miliardë është propozuar të bëhet 500 milionë. Përzgjedhja e subjekteve që do të konkurrojnë për lotarinë kombëtare do të bëhet nga komisioni i licensimit në përputhje me kriteret e vlerësimit. Në projektligj, është rishikuar edhe neni që ka të bëjë me detyrimet tatimore dhe pagesat e tjera. Duke filluar që nga organizatorët e basteve sportive, do të tatohen në masën 15 përqind të të ardhurave bruto nga loja dhe tatimi do të derdhet për llogari të fondit të posaçëm.
Organizatorët e kategorive kazino në hotele me pesë yje do të tatohen në masën 25 përqind të të ardhurave bruto nga loja, pra jemi larguar nga koncepti i vëllimit të qarkullimit që ka qenë 12 përqind. Organizatorët e autorizuar për zhvillimin ndaj turneve të lojërave kanë detyrimin që të paguajnë 25 përqind të të ardhurave bruto nga loja për cdo turne të organizuar brenda datës 10 të muajit pasardhës. Organizatorët e kategorisë baste sportive online, bingo televizive dhe lotaria kombëtare, krahas detyrimit tatimor të parashikuar në ligjin aktual, do të duhet të derdhin dhe për llogari të fondit të posacëm 15 përqind të shumës së deklaruar për publicitetin.
Tatimi në burim i mbajtur për lojtarët do të mbetet në masën 0 përqind për ata që do të luajnë baste sportive online. Krahas detyrimeve tatimore, organizatorët e lojërave të fatit do të duhet të derdhin brenda datës 31 mars në llogari të fondit të posacëm shumën 2.5 përqind të të ardhurave bruto nga loja dhe bëhet fjalë për kategoritë kazino, kazino me pesë yje dhe resort kazino dhe shumën 10 përqind për organizatorët e kategorisë lotaria kombëtare dhe 1.5 përqind për kategoritë bingo televizive.”, theksoi Vjero./abcnews.al