Presidenca pritet të publikojë nesër qëndrimin e saj zyrtar lidhur me draft-opinionin e Komisionit të Venecias, që mbërriti një javë më parë në Tiranë, pas kërkesës së komisionit hetimor parlamentar për ligjshmërinë e anulimit nga Presidenti Meta të 30 qershorit, si datë e zgjedhjeve vendore.
Burime nga Presidenca i thanë ABC News se bashkë me qëndrimin e kreut të shtetit për draft-opinionin e Venecias, do të bëhen publike edhe disa pyetje që zoti Meta i drejton komisionit të Venecias për këtë çështje.
Në draft-opinionin e këtij komisioni, të përpiluar pas dërgimit të një misioni faktmbledhës në Tiranë, argumentohet se Presidenti i Republikës ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, duke anuluar dhe më pas duke shtyrë datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Por “Venecia” nuk shprehet me qëndrim, nëse këto shkelje mund të çojnë në shkarkimin e kreut të shtetit. Këtë vendimmarrje Komisioni i Venecias ia lë Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Pasi të dëgjojë edhe palët e interesuara, Kuvendin e Shqipërisë dhe Institucionin e Presidentit, Komisioni i Venecias do të japë një opinion përfundimtar në 11 tetor. /abcnews.al