Pavarësisht se arriti të triumfojë në Kampionatin evropian të futbollit, Euro 2021, prej disa vitesh tashmë, Kombëtarja italiane nuk është në nivelin e saj të dikurshëm dhe kjo gjë duket dhe në performancat e fundit, të “të kaltërve”.
Për Kombëtaren ka folur dhe “legjenda” e mbrojtjes, Fabio Cannavaro, i cili në një intervistë për mediat italiane ka shprehur dëshirën e tij për të qenë në krye të pankinës së 4 herë Kampionëve të botës, si dhe foli për postin e ri të “gardianit” legjendar, Gianluigi Buffon në Kombëtare.
“Futbolli ynë ka disa vite që është në vështirësi. Nuk investojmë më në struktura dhe të rinj, ka shumë implikime. Kjo na bën të ndihemi keq, sepse ishim mësuar me situata të tjera”.
Historia ime shkon shumë vite më parë me kombëtaren, është normale që njerëzit mendojnë gjithmonë për emrin tim, por kur ka emra si Spalleti dhe Conte, ata kanë një avantazh ndaj meje sepse kanë një histori të ndryshme në kampionatin italian nga e imja. Unë kam filluar jashtë dhe ju e dini mentalitetin italian, nëse filloni jashtë është sikur nuk jeni trajner. Nuk është se nuk kam menduar për kombëtaren, por e dija që kishte trajnerë më tërheqës në qarkullim.”
Na mungojnë numrat në mbrojtje, është më e vështirë të gjesh qendërmbrojtës, por jo sepse Bastoni apo të tjerët janë më pak të mirë, por për shembull janë mësuar të luajnë më shumë me një mbrojtje me tre lojtarë dhe më pak në fushë të hapur. Unë do të jepja një Nesta, një Maldini apo një Baresi. Ne ishim mësuar gjithmonë të mos donim të humbnim, sot vëmendja bie shumë shpesh.
Buffon në kombëtare mund të sjellë përvojën e tij 360 gradë. Spalleti është padyshim një trajner i madh, por ndoshta ai nuk e ka atë përvojë për të drejtuar një ekip kombëtar. Ai ka qenë gjithmonë një trajner i mësuar të stërvitet dita ditës dhe kështu Buffon mund të ndihmojë, është një ‘blerje’ e rëndësishme”,- u shpreh Cannavaro. /i.m /abcnews.al